Aktuale

Koci: A po e pranojnë Thaçi e Mustafa që janë mëkatarë

Avokati Arianit Koci ka shkruar sot një status në llogarinë e tij në Facebook, ku hedh dyshime nëse presidenti Thaçi e kryeministri Mustafa kanë pranuar se janë mëkatarë, nëse vërtetë ata janë kunguar në Vatikan.

Koci ka thënë se akti i kungimit është qëllim mirë dhe fisnik, duke potencuar se “qëllimi primar i kungimit është larja e mëkateve”, transmeton Koha.net.

Ai më tej thotë se “kungimi pa pagëzim dhe rrëfim është veprim i gabuar dhe në kundërshtim flagrant me normat kishtare”, e nëse ky veprim përsëritet atëherë kjo konsiderohet “sakrilegj” (v.j. “Dhunim a cenim i gjërave që mbahen si të shenjta e të paprekshme sipas paragjykimeve fetare”).

Këtë veprim të presidentit Hashim Thaçi e kryeministrit Isa Mustafa, Arianit Koci e konsideron si “kiks protokollar”, për të cilat veprime ai edhe u ofrohet si këshillues.

Lexoni të plotë postimin e Kocit:

A po e pranojnë Presidenti dhe Kryeministri që janë mëkatarë?

Kungimi ( nëse është i vërtetë), i Presidentit dhe Kryeministrit tanë, nxiti shumë debate dhe reagime.

Kryesisht konstruktive.

Nuk ka dyshim se qëllimi ka qenë i mirë dhe fisnik. Për më tepër, ky veprim i krerëve të shtetit, mund ta ketë efektin e vet pozitiv: qëllimi primar i kungimit është larja e mëkateve.

Personalisht e di se z. Thaçi është shumë i hapur dhe tolerant në aspektin fetar. Kjo vlen edhe për z. Mustafa.

Por, kungimi pa pagëzim dhe rrëfim është veprim i gabuar dhe në kundërshtim flagrant me normat kishtare.

Assesi, nuk është i barasvlershëm me urimin që ia bëjmë njëri – tjetrit, për Bajram apo Kërshëndella.

Madje, nëse Presidenti dhe Kryeministri e përsërisin këtë veprim, në kundërshtim me ligjet kishtare ( nëse nuk konvertohen), kjo veç konsiderohet – sakrilegj!

Diçka – kërkoj ndjesë për krahasimin- si kur katoliku e thërret myslimanin në drekë dhe ia servon mishin e derrit.

Nëse nuk e ka ditur nikoqiri, herën e parë i falet.

Kodi i Ligjit Kanonik, në Kan.912, parasheh: ” çdo i pagëzuar, i cili nuk e ka të ndaluar me ligj, mund dhe duhet të pranohet në kungimin e shenjtë”.

Kjo norme kanonike, e obligon meshtarin – priftin, që mos t’i kungojë ata që nuk i kanë plotësuar kriterët e parapara kanonike.

Prandaj, kungimi, përsëris, nëse ka ndodh, është kiks protokollar.

Shkelje e ligjeve kishtare.Ignoratia juris nocet!

Sidoqoftë, qëllimi ka qenë i mirë, dhe ky gabim mund të cilësohet si gabim simpatik, dhe i natyrës beninje.

Por, tash e tutje, krerët e shtetit tanë, duhet të pyesin dhe të informohen.

Unë për vetën time, jam i gatshëm që t’i këshilloj, për aq sa di, 24 orë në ditë.

Pro bono!