Koalicioni LDK-AKR-Alternativa janë të palëkundur në qëndrimin e tyre për të mos përkrahur koalicionin PAN në formimin e Qeverisë.
Një qëndrim të tillë e kanë bërë të ditur edhe një herë të enjten pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LAA-së, kreu i AKR-së Behgjet Pacolli dhe kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti, të cilët janë shprehur se do të vazhdojnë të jenë të vendosur për të qëndruar bashkë.
Kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli tha pas takimit se janë në pritje të datës së seancës konstituive, derisa përsëriti qëndrimin se deputetët e partisë së tij do t’i qëndrojnë besnik koalicionit parazgjedhor me LDK-në.
“AKR-ja është duke respektuar përgjegjësinë morale që ka ndaj koalicionit dhe jemi duke punuar brenda koalicionit. Nuk kemi nevojë t’i ikim, nuk kemi hyrë aty të ikim, kemi hyrë t’i shërbejmë vendit në mënyrë dinjitoze, të drejt dhe jam i bindur se është momenti i duhur për t’i shërbyer Kosovës”, tha Pacolli.
Takimin e Rrahim Pacollit me presidentin Hashim Thaçi, kreun e PDK-së Kadri Veseli e kreun e Skenderajt Sami Lushtaku, Pacolli nuk ka dashur ta lidh me ofrimin e mundshëm të partisë së tij me koalicionin PAN, duke thënë se nuk e kanë armik askënd, porse vendimet politike merren diku tjetër.
“Politika është diçka tj etër, jeta është diçka tjetër, ne nuk jemi në armiqësi me askënd dhe jemi të hapur gjithmonë të bisedojmë, të ulemi të kuvendojmë me secilin, kurse vendimet merren sa i përket politikes, merren brenda koalicionit”, theksoi ai.
Ndërsa, i pyetur nëse do t’i përgjigjen ftesës së presidentit për takim të hënën, Pacolli tha se për këtë vendos kandidati për kryeministër i koalicionit, Avdullah Hoti në momentin e duhur
E, kandidati për kryeministër i koalicionit LAA Avdullah Hoti, e ka quajtur konspiracion mundësinë që deputetët e AKR-së ta braktisin koalicionin dhe të shkojnë me PAN-in.
“Unë mendoj që këtij konspiracioni i ka dal.. nuk ka më asnjë kuptim më ky konspiracion që është sjell nëpër media që sa kohë. Ne jemi koalicion të palëkundur 29 veta, si parti politike e kemi bërë të qartë. Unë lus mediat dhe gjithë qarqet tjera që të lënë konspiracionin dhe të merren me tema më serioze”, u shpreh Hoti.
Hoti pret që sa më shpejt të thirret seanca konstituive e Kuvendit, derisa shtyrja e thirrjes së saj nga presidenti, sipas tij, po bëhet pasi PAN nuk i ka numrat.
“Tani është më se e qartë që po t’i kishte numrat koalicioni PAN sot do ta kishim Kuvendin dhe Qeverinë. Ata definitivisht nuk i kanë numrat, nuk ka nevojë të prodhohet asnjë krizë në Kosovë, sepse këto parti politike parlamentare që kanë fituar mbështetjen qytetare mund ta bëjnë shumicën për të krijuar institucionet e vendit”, theksoi ai.
Ndërsa, i pyetur rreth ftesës së presidenti, pretendenti për kryeministër nga LAA tha se vendimi për këtë do të merret deri të hënën, por që sipas tij, kjo ka qenë një ftesë e panevojshme, pasi atë që është dashur të bëjë presidenti à «shtë thirrja e seancës konstituive. /KP/