Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) me anë të një komunikate për media ka shprehur se seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës nuk do të prodhojë asnjë efekt në dobi të Nehat Thaqit përveç një deklaratë apo rezolute që nuk paraqet asnjë kërcenim për Serbinë. Sipas saj nga kjo seancë do të përfitojë opozita, e cila do të hedhë akuza ndaj pozitës, shkruan Gazeta Express.
“Ky rast do të shërbejë për akuza ndaj pozitës nga opozita se nuk ka ndërmarrë asgjë për lirimin e komandantit të Policisë të rajonit të Mitrovicës ndonëse , as opozita , po të ishte pozitë , nuk do të ishte në gjendje të bëjë asgjë.” thuhet në komunikatë.
Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se sot në orën 14:00 do të mbajë një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar arrestimin e Drejtorit të Policisë në Rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaqi.
Por, KMDLNJ në komunikatë thekson “Formimi i një Task Force për lirimin e Thaçit është veprim krejtësisht joserioz. Shteti nuk mbahet me rezoluta por me veprime konkrete siç janë sigurimi i integritetit territorial , shtrirjes së sovranitetit dhe barazisë para ligjit – funksionimit të ligjit për të gjithë qytetarët e Kosovës pavarësisht përkatësisë etnike , fetare, statusit shoqëror , bindjeve politike etj.”