Aktuale

KMDLNJ: Sulmi në xhaminë në Velekincë, shkelje e të drejtave fetare

Këshilli për Mbrojtjen dhe të Drejtat dhe Liritë e Njeriut dëmtimin e xhamisë në Velekincë të Gjilanit e vlerëson shkelje e të drejtave fetare.

“Ky veprim i papërgjegjshëm i ka fyer rëndë ndjenjat fetare të besimtarëve të besimit islam sikur që vënë nën dyshim tolerancën ndërfetare që merret si shembull i mirë në një vend ku bashkëjetojnë besimtarët e tri besimeve; myslimanë, katolikë dhe ortodoks”, thuhet në reagim të KMDLNJ-së.

KMDLNj e dënon këtë veprim vandal të një personi të papërgjegjshëm që i fyen të drejtat fetare si njëra ndër të drejtat elementare të njeriut dhe kërkon nga hetuesia që të ndërmerr veprimet në përputhje me ligjin sikur që kërkon nga besimtarët që u janë shkelur të drejtat e tyre të tregohen të matur në reagimet e tyre në mënyrë që të mos kontribuojnë në tensionimin e raporteve ndërkonfesionale.

Sipas KMDLNJ-së komuniteti serb që jeton në Kosovë duhet ta gjykojë këtë rast si veprim të papërgjegjshëm dhe të distancohet nga ky veprim.

“KMDLNj përkujton se pikërisht në raste kur janë sulmuar objektet fetare, Beogradi dhe Kisha ortodokse serbe janë ankuar deri të Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, shumë herë duke u marrë me improvizime dhe inskenime ndërsa tani heshtin dhe nuk reagojnë për këtë sulm të pashembullt dhe të papërgjegjshëm si provokim i rëndë i ndjenjave fetare të besimtarëve myslimanë”.

Duke gjykuar këtë sulm, KMDLNj thërret në vazhdimin e tolerancës ndërfetare dhe lirinë e shprehjes së bindjeve fetare për të gjithë besimtarët, pavarësisht cilit besim i takon.