Aktuale

KMDLNJ-ja reagon për vdekjen në Dubravë

Në mëngjesin e sotëm u raportua se një 27-vjeçar, i cili ishte në vuajtje të dënimit, ka ndërruar jetë.

Sipas KMDLNj-së, i dënuari A.A 27 vjeç, shtetas shqiptar, ka vdekur në rrethana të pasqaruara. I ndjeri ishte dënuar 1,5 vjet burg dhe në vuajtje të dënimit në Burgun e Dubravës ishte nga data 11 qershor 2019.

”Në mëngjes, përkatësisht në ora 9:15 është gjetur në gjendje të rëndë shëndetësore nga shokët e dhomës që ishin kthyer nga shëtitja e që i ndjeri nuk kishte dalë në shëtitje.

Personeli mjekësor i Burgut të Dubravës ka bërë përpjekje t’i ofrojë ndihmën e parë, mirëpo për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Pejës ku edhe është konstatuar vdekja. Trupi i të ndjerit është dërguar për obduksion për të konstatuar shkaqet e vdekjes.

KMDLNJ-ja thellësisht është shqetësuar me vdekjen e personave të privuar nga liria gjatë vuajtjes së dënimit dhe kërkon intervenim urgjent të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë në mënyrë që të sigurohet një mbrojtje cilësore dhe efektive e shëndetit dhe jetës së personave të privuar nga liria.

KMDLNJ-ja është njoftuar për terapinë që e ka përdorur i ndjeri A.A dhe që mund të jetë edhe shkaktare për vdekjen e tij prandaj kërkon nga drejtësia e burgjeve të përforcojë kontrollet në mënyrë që të eliminohen gjësendet e ndaluara. I ndjeri A.A ka vdekur 12 ditë pasi ka filluar vuajtjen e dënimit dhe sipas KMDLNJ-së nuk ka pasur histori të një sëmundjeje të rëndë e që ka shkaktuar vdekjen e shpejtë. KMDLNj kërkon që të përforcohet profesionalisht edhe materialisht Shërbimi Shëndetësor i Burgjeve që të evitohen këso raste në të ardhmen”.