KMDLNJ njofton se më 27 tetor është informuar se është ndaluar në ndalim policor prej 48 orësh Ugur Toksoy, shtetas i Turqisë, me qëndrim të përkohshëm në Republikën e Kosovës dhe i punësuar në OJQ “Atmosfera” në Prizren.
“Në këtë kontekst KMDLNJ konsideron se arrestimi i Toksoy si dhe kërkesa për ekstradim , me një procedurë të përshpejtuar është e motivuar politikisht dhe si e tillë duhet të refuzohet nga autoritetet kosovare”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.
KMDLNj konsideron gjithashtu se ekstradimi i një të arrestuari në një shtet tjetër, me kërkesë të atij shteti është detyrim ndërkombëtar mirëpo, në rast kur vlerësohet se personi i ekstraduar mund t’i nënshtrohet një hetimi brutal, çnjerëzor dhe se ndaj tij do të përdoret një torturë fizike dhe psikike me ç’rast , përveç rrezikimit të shëndetit, seriozisht do t’i rrezikohej edhe jeta, ekstradimi nuk duhet të zbatohet, ndryshe Kosova do të identifikohej si vend që ka kontribuar në shkeljen e të drejtave të njeriut përmes ekstradimit.
“Praktika e deritashme në Turqi dëshmon se, nëse z. Ugur Toksoy do të ekstradohej në Turqi, ai nuk do të kishte një gjykim fer, të paanshëm dhe të drejtë dhe kjo është arsye shtesë që ekstradimi nuk duhet të ndodhë”, thuhet në reagim.
Sipas KMDLNJ-së Kosova nuk ka asnjë arsye të ngatërrohet në luftën për pushtet midis Erdoganit dhe Gylenit sikur që nuk duhet t’i nënshtrohet asnjë diktati, kushtëzimi apo shantazhimi, nga asnjëra palë por, në rastin konkret për Ugur Toksoy duhet të thirret në konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Dihen mirëfilli procedurat e ekstradimit prandaj autoritetet kosovare duhet t’i respektojnë ato e jo t’i binden një kërkese politike të autoriteteve turke siç është rasti i Ugur Toksoy.
KMDLNj thërret autoritetet kosovare që në rastin konkret të përcaktohen për mbrojtje të drejtave të njeriut e jo t’i nënshtrohen kërkesës krejtësisht politike dhe të mos e ekstradojnë z. Ugur Toksoy në Turqi, ndryshe do të bëhen bashkëpjesëmarrës dhe bashkëfajtorë gjitha dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.