Kosova po tregon sinjale të përkeqësimit sa i përket situatës me COVID-19. Vetëm në 24 orët e fundit në vend u shënuan edhe 688 raste të reja me koronavirus si dhe 11 vdekje. Në mesin e tyre ishte edhe një 38-vjeçar nga Prishtina.
Por janë edhe qindra pacientë të tjerë të cilët janë të prekur apo edhe të dyshuar për koronavirus e që po trajtohen në spitalet kosovare.
Bëhet fjalë për 753 pacientë të hospitalizuar në spitalet vendore.
Nga ta 537 pacientë janë të konfirmuar me koronavirus. Ndërkohë 523 tashmë janë në oksigjenoterapi.
Kjo u bë e ditur nga ana e SHSKUK-së. Ndërkohë edhe nëntë pacientë të tjerë në respirator e 50 të tjerë në CPAP.
Por gjendje hiç e mirë nuk është as në Klinikën Infektive të QKUK-së.
Aty kapacitetet e shtretërve për pranimin e pacientëve me COVID-19 janë thuajse të mbushura.
Kështu ka pohuar në një deklaratë për Express, infektologu Salih Ahmeti.
“Rastet po janë shumë të vona. Rreth 70% e pacientëve që janë tash të shtrirë kanë nevojë për oksigjen. Në mëngjes i kemi pasë 108 pacientë të shtrirë. Numrat mund të rriten nga momenti në moment”, tha Ahmeti për Express.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar edhe 688 raste të reja me koronavirusin e ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.
Rezultatet e IKSHPK-së janë në bazë të 1.865 mostrave të testuara.
Gjatë 24 orëve, po ashtu, nga sëmundja COVID-19 kanë vdekur 11 pacientë.
“Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prishtinë 3 raste (76, 54, 38 vjeç), Rahovec 2 raste (74, 67 vjeç), Ferizaj 1 rast (48 vjeç), Gjilan 1 rast (82 vjeç), Kamenicë 1 rast (57 vjeç), Klinë 1 rast (65 vjeç), Skenderaj 1 rast (76 vjeç) dhe Suharekë 1 rast (54 vjeç)”, thuhet në njoftim.
Që nga konfirmimi i rasteve të para në muajin mars, numri i përgjithshëm i rasteve pozitive është 29.805.
Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga COVID-19, është 833, derisa numri i të shëruarve deri më sot është gjithsej 17.541 raste, kurse numri i rasteve aktive është 11.431.