Aktuale

Klinë, eliminohen 30 deponi ilegale të mbeturinave

Me rastin e Ditës Botërore të Mjedisit, të hënën në disa zona të Komunës së Klinës, është organizuar aksioni i eliminimit të deponive ilegale.

Dardan Bashota, zyrtar për Mjedis në Drejtorinë e Urbanizmit në Klinë, ka bërë të ditur se deri më tani janë eliminuar 30 deponi ilegale kryesisht në zonat rurale, ndërkohë që aksioni për eliminimin e deponive ilegale do të vazhdojë ditëve në vijim deri në eliminimin e plotë të tyre.

Bashota apelon te qytetarët që të hedhin mbeturinat në vendet e caktuara, ngase gjitha fshatrat janë në sistemin organizativ të grumbullimit të mbeturinave.

“Të gjithë duhet të kujdesemi për një ambient më të pastër, ngase kjo ndikon që të kemi shëndet më të mirë”, tha ai.

Aksionin dhe financimin e këtij projekti e ka bërë Komuna e Klinës, e cila është e përkushtuar në krijimin e një ambienti sa më të pastër dhe në shumë vende ka vendosur shenja ndalimi për hedhjen e mbeturinave.