Koalicioni për Integritet Zgjedhor, në konferencën e fundit të mbajtur rreth mbarëvajtjes së procesit zgjedhor për kryetar të Drenasit, treguan edhe njëherë të gjeturat e tyre dhe rezultatet preliminare gjatë procesit zgjedhor të raundit të dytë, në komunën e Drenasit.
Driton Selmanaj, përfaqësues i Koalicionit për Integritet Zgjedhor, tha se rreth 45,6 % e qytetarëve të Drenasit kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për votë.
Ndërsa,numri i rasteve të evidentuara të parregullsive sa i përket votimit përkundër shenjave të sprejit në gishtërinjtë e tyre, ka arritur në 36.
KIZ ka numëruar edhe parregulëlsi të tjera si lejimi i 10 personave të votojnë pa kontrollin nga llampa ultravjollcë, fotografimi i votës nga tetë persona, si dhe 282 raste të asistencës në qendra të votimit.
“Përqindja e daljes së qytetarëve në zgjedhje në komunën e Drenasit për të realizuar të drejtën e tyre të votimit ka qenë në shifrën dikund rreth 45 përqind, të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë në përjashtim të katër vendvotimeve me 10 deri 20 minuta vonesë. Rreth 36 raste kemi evidentuar në gjashtë qendra të vendvotimit ku përkundër që ka ekzistuar prezenca e shenjave të sprejit në gishtërinjtë e tyre ata janë lejuar që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votimit dhe për ne kjo është e dyshimtë sepse është i kundërligjshëm. 10 persona janë lejuar të votojnë pa u kontrolluar fare me llampën ultravjollcë. Raste të fotografimit të votës kemi evidentuar 8 raste. 282 raste janë evidentuar për asistencë në qendra të votimit”, tha Selmanaj.
Ndërsa, sa i përket rezultatit të këtyre zgjedhjeve, Selmanaj, tha se nga 80 përqind e vendvotimeve të marra nga vëzhguesit e tyre, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Ramiz Lladrovci, ka marrë 62 përqind të votave, ndërsa, kandidati nga partia NISMA, Isa Xhemajlaj, ka marrë 38 përqind të votave.
“Sipas të dhënave tona preliminare që lidhen dikund me 80 përqind e vendvotimeve të marra drejtpërdrejt nga vëzhguesit tanë del se kandidati i PDK-së, Ramiz Lladrovci ka marrë 62 përqind të votave, ndërkohë kandidati i NISMËS, Isa Xhemajlaj, 38 përqind të votave, ky është vlerësimi jonë preliminar për gjithë këtë proces”, tha Selamanaj.
Koalicioni për Integritet Zgjedhor ka angazhuar 90 monitorues , ku 72 prej tyre ishin në të gjitha vendvotimet, ndërsa pjesa tjetër janë angazhuar në ekipe vëzhguese mobile. /kp