Çështja e objektit të papërfunduar të faltores ortodokse serbe “Krishti Shpëtimtar”, objekt ky i cili gjendet brenda hapësirës së kampusit të Universitetit të Prishtinës, është politizuar skajshëm dhe pa nevojë, vlerësojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe, por edhe ekspertë të sociologjisë së religjionit.
Pretendimet se ditë më parë në brendësi të këtij objekti, themelet e të cilit janë vënë në vitin 1992 dhe forma aktuale e të cilit është përfunduar në vitin 1999, është ndezur zjarr, ka nxitur reagimin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.
Një grup murgjish dhe besimtarësh ortodoksë serbë javën e kaluar bënë përpjekje për të pastruar objektin. Këta të fundit u ndaluan nga zyrtarët e komunës së Prishtinës, që thanë se “punimet nuk mund të kryhen pa një leje paraprake nga komuna”.
Për më tepër, një numër studentësh të Universitetit të Prishtinës kanë protestuar kundër, siç është thënë, funksionalizimit të këtij objekti fetar, me ç’rast ka pasur edhe përplasje me Policinë e Kosovës.
Faton Abdullahu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se çështja e objektit të faltores ortodokse serbe në kampusin universitar është politizuar skajshëm, por sipas tij, edhe panevojshëm.
“Tashmë e kemi kuptuar se çështja në fjalë është e ndjeshme në shumë aspekte. Situatës aktuale politike dhe jo vetëm asaj, duket se nuk i duhen, por edhe shihet se nuk i janë të nevojshëm as ata që paraqiten si viktima e as ata që duan të paraqiten si mbrojtës”, ka theksuar Abullahu.
Ditë më parë, objekti i Kishës në kampusin e Universitetit të Prishtinës ka nxitur menaxhmetin e UP-së, i cili ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që “përmes rrugëve politike dhe juridike të qartësojë situatën, duke e kthyer pronën prapa”.