Aktuale

Kirurgët vazhdojnë grevën deri t’u rritet koeficienti sa i gjyqtarëve e prokurorëve

Kolegjiumi i kirurgëve ka bërë të ditur të hënën se janë të vendosur në vazhdimin e grevës së tyre për arsye që kërkesa e tyre për rritje të pagave nuk është plotësuar në Ligjin e ri për paga. Ata po kërkojnë që t’u rritet koeficienti sa i gjyqtarëve e prokurorëve.

Ndonëse shumica e mjekëve e kanë ndërprerë grevën qysh në ditët e para të këtij viti, janë kirurgët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), të cilët edhe pas miratimit të Ligjit për paga, nuk po heqin dorë nga greva dhe po vazhdojnë të mos ofrojnë shërbime për pacientët.

Nga gjithsej 200 kirurg sa ka QKUK-ja, janë rreth 160 që ende janë duke vazhduar të kundërshtojnë pezullimin e grevës.

“Meqë Parlamenti i Kosovës në votimin për Projektligjin për paga nuk ka marrë parasysh kërkesën tonë për rritje të koeficientit në nivel të gjykatësve dhe prokurorëve e që konsiderojmë se është një kërkesë e jona modeste dhe e bazuar në kriteret në bazë të të cilave indeksohem koeficientet, ne vazhdojmë grevën me kërkesën e njëjtë dhe nuk do të ndërpresim atë deri në realizimin e saj”, thuhet në deklaratën e lëshuar për media nga Kolegjiumi i kirurgëve.

Kujtojmë se kirurgët e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK) janë në grevë prej datës 16 të muajit dhjetor.

Sipas tyre, gjatë kësaj kohe të grevës deri në 200 operacione elektive që është dashur të kryhen çdo ditë, nuk janë duke u kryer për shkak të grevës.

Koeficienti i pagës se mjekëve, respektivisht i kirurgëve aktualisht edhe me ligjin e ri është më i ultë se i prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Ligji për Paga është votuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës gjatë ditës së shtunë me 63 vota për, asnjë kundër e 1 abstenim./FaktePlus