Xi Jinping nisi mandatin e tij të dytë si lider i ekonomisë së dytë më të madhe në botë, me zotimin se do të drejtojë rinimin e kombit kinez, ndërsa gjithashtu dha sinjalin se ka ndërmend të sundojë në politikën kineze për dekadat e ardhshme.
Presidenti kinez paraqiti përbërjen e re të Komitetit Qendror të Byrosë Politike të Partisë Komuniste, duke shoqëruar gjashtë shokë mes shpërthimit të blicëve në Sallonin e Madh të Popullit. Gjatë fjalimit të rastit, Xi Jinping falenderoi anëtarët e partisë për besimin e dhënë dhe u zotua se do ta justifikojë atë. Por, ajo që ra në sy ishte kabineti i ri i përbërë vetëm nga meshkujt dhe mbi të gjitha mungesa e një pasardhësi të mundshëm të Xi Jinping.
Anëtarët e ri të kabinetit janë nga 60 deri në 67 vjeç dhe asnjëri prej tyre nuk është i ri mjaftueshëm që të marrë frerët e vendit nga Presidenti aktual pas fundit të mandatit të tij të dytë më 2022 dhe më pas të sundojë për një dekadë. Sekreti që mbulon politikën kineze është kaq i madh, saqë emrat e anëtarët të rinj të komitetit u morën vesh vetëm kur ata dolën në sallë bashkë me Presidentin. Bashkë me Xi Jinping dhe kryeministrin Li Keqiang, anëtarët e tjetrë të komitetit elitë janë Li Zhanshu, Han Zheng, Zhao Leji, Wang Yang dhe Wang Huning. Ndërsa media si BBC, The Guardian, New York Times apo Financial Times u përjashtuan nga evenimeti pa shpjegim, autoritetet kineze e cilësuan shfaqjen politike të kësaj jave si një shembull transparence.
Pas prezantimit të komitetit, Xi Jinping përsëriti premtimet e Kongresit për nisjen e një epoke të re për vendin dhe partinë. Zhvillimi ekonomik, zhdukja e varfërisë e të tjera si kjo ishin thjesht garnitura në deklaratën themelore të Xi Jinping. Partia Komuniste dhe vetëm ajo do të vazhdojë të vendosë ligjin në të gjitha aspektet e jetës së shoqërisë kineze, e cila duket se është në fillim të një dimri të gjatë kontrolli politik.