Rajon & Botë

Kina e raporton vetëm një rast të infektimit të brendshëm për të dytën ditë me radhë

Autoritetet në Kinë e kanë raportuar vetëm një rast të ri të infektimit me koronavirus brenda shtetit për të dytën ditë me radhë.

Edhe shifrat e infektimeve jashtë provincës Hubei, që është epiqendra e koronavirsut, kanë qenë në numra njëshifror gjatë shtatë ditëve të kaluara, ndonëse në muajin shkurt konfirmoheshin mijëra raste të reja për çdo ditë.

Rreth 11 milionë banorë të qytetit Wuhan ishin vendosur në karantinë të rreptë më 23 janar, ndërsa e tërë provinca Hubei ishte futur nën masë të tillë disa ditë më vonë.

Sidoqoftë, masat e izolimit janë lehtësuar kohëve të fundit pasi autoritetet thanë se në thelb e kanë frenuar përhapjen e virusit të ri, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.

Disa qytete më të vogla tash po i lejojnë njerëzit e shëndoshë që të largohen nga provinca për t’u kthyer në punë apo në vendlindjet e tyre.

Megjithatë, rastet e infektimeve me prejardhje nga vendet e huaja paraqesin shqetësim në Kinë. Vetëm të mërkurën u shënuan 12 raste të tilla.

Mesatarisht, përmes transportit ajror në Kinë çdo ditë po hyjnë 20 mijë njerëz. Dhjetë provinca dhe qytetete kineze kanë marrë vendim që të ardhurit të vendosen në karantinë të detyrueshme dyjavore.

Ndryshe, të mërkurën në Kinë u raportuan 11 vdekje të reja, duke e çuar në 3237 shifrën e përgjithshme të viktimave.

the authorGazetaKNN