Aktuale

KFOR-i ndihmon Maqedoninë mas vërshimeve

Pas pranimit të kërkesës për ndihmë, dërguar nga autoritetet vendore të Shkupit, personeli i KFOR-it filloi dje atje operacionin për ndihmë në rastet e fatkeqësisë së vërshimeve.

Në një njoftim për media thuhet se asetet e personelit dhe të xhenios, të shkëputura nga kontigjentet e KFOR-it zviceran dhe austriakë, arritën në Maqedoni në mbrëmjen e 11 gushtit, të cilët kishin me vete pajisje të rënda për tërheqje, ngarkues, ekskavatorë dhe kamionë për mbeturina në mënyrë që të mbështesin operacionin për ndihmë në rast fatkeqësish, i cili po udhëhiqet nga autoritetet kombëtare.

“Në të vërtetë, kjo nuk është hera e parë që KFOR-i i është përgjigjur në një krize të llojit të tillë, e cila u shkaktua nga fatkeqësia natyrore. Në vitin 2000, sipas udhëzimit të Komandës së Forcës së Përbashkët në Napoli, KFOR-i ofroi asetet e tij për të ndihmuar ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë kur shpërthyen zjarret pyjore”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Në përgjithësi, tetëmbëdhjetë veta dhe trembëdhjetë automjete që i përkasin misionit të KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja u zbarkuan nga Kosova në zonën e goditur të Stajkovcit, afër Shkupit.