Pas shumë ankesave që janë bërë lidhur me Ligjin për Paga, ky ligj hyri në fuqi automatikisht, pasi që presidenti i vendit Hashim Thaçi nuk ia ktheu mbrapa Kuvendit të Kosovës për ndonjë ndryshim apo plotësim.
Ligji për Paga ka rregulluar pagat e gjithë të punësuarve në institucionet shtetërore e publike, respektivisht gjithë atyre që marrin direkt rrogat nga buxheti i shtetit.
Sipas ligjit aktual koeficienti më i lartë është caktuar të jetë 10 dhe më i ulëti është 1. Sipas ligjit vlera monetare e koeficientit për vitin e parë do të jetë 239 euro.
Kështu i bie që paga më e lartë të jetë 2390 euro, kurse ajo më e vogla 239 euro.
Mbi bazën e këtij Ligji rritje kanë përfituar shumë sektorë, ku bëjnë pjesë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Në kuadër të tyre pagën më të lartë pritet ta ketë zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë, i cili në bazë të koeficientit 6.5 do ta ketë pagën 1,553.50 euro, kurse ndihmësdrejtori do ta ketë pagën 1,434 euro.
Ata që kanë gradën kolonel dhe nënkolonel në Policinë e Kosovës, do të marrin pagë nga 1,195 dhe 1,087.45 euro.
Majorët dhe Kapiteni në polici do të marrin pagat nga 932.10 euro dhe 717 euro.
Personat që kanë gardën toger në Policinë e Kosovës sipas koeficientit do të marrin pagë 650.08 euro, kurse rreshteri do të përfitojë pagë prej 573.60 euro.
Polic i Lartë në polici sipas Ligjit për Paga do të ketë pagë 525.80 euro, ndërsa ai që ka vetëm gradën polic do të marrë 478 euro, polici i ri 454.10 euro dhe kadeti policor 239 euro.
Sipas nenit 34, ky Ligj hyn në fuqi nëntë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.



















