Oborret e shkollave janë të mbushur me fëmijë të kapur dorë për dore që përcjellen nga prindërit e tyre. Mësueset qëndrojnë para derës së shkollës e i presin fëmijët të hyjnë brenda, disa nxënës vetëm i përshëndesin mësueset e disa edhe ndalen e i përqafojnë.
Të rralla janë rastet që fëmijët shkojnë në shkollë vetëm, e ndodh edhe të organizohen një grumbull i fëmijëve e të paguajnë transportin. Kohët e fundit për shumë shkaqe fëmijët po rrezikohen, e më së shumti që ngjallë shqetësim është komunikacioni i dendur.
Çantat e rënda
Kur e pyes Klestin, nxënës i klasës së tretë me sy të kaltër, për çantë se a është e rëndë ai bën me kokë që po,e largon çantën nga krahët,ma jep mua e më thotë “Provoje ti”, ishte më e rëndë se e imja. Duke shikuar nxënësit padyshim që vërehen edhe çantat e mëdha me ngjyra të ndezura me personazhe të filmave të animuar. E disa i kanë çantat me rrota e i ngrehin shkallëve poshtë e lart duke u ngutur të hyjnë brenda.
“Pesha e rëndë mund të shkaktojë deformime të shtyllës kurrizore si: Tifozë,Skoliozë dhe mund të ketë deformime anash e përpara. Deformime mund të ketë edhe në gjunjë, që më së shpeshti marrin formën e shkronjës X dhe O”, thotë Gani Jashanica, ortoped. Sipas Jashanicës për fëmijët më mirë është të bartin çanta me rrota, e nëse nuk kanë rrota së paku të kenë shtresë ortopedike.
Jashanica thotë që pasojat vijnë ngadalë dhe sigurisht që fëmijët duhet të ruhen, të hajnë shëndetshëm, por edhe të ketë më pak libra në cantat e tyre.
Nevojë apo pengesë për të fituar aftësi?
“Në moshat e vogla 6, 7 apo 8 vjeq përcjellja e prindit është më se e nevojshme , jo vetëm në vendin tonë por edhe në vendet tjera të botës, të cilët ndjekin të njëjtin parim”, thotë Venera Limani-Kryeziu, psikologe.
Limani-Kryeziu gjithashtu e konsideron të domosdoshme nevojën e vetëdijësimit të fëmijëve për rreziqet në rrugë. “Prandaj duke u rritur fëmijëve duhet ti japim edhe përgjegjësitë që i takojnë, dhe prindërit nuk duhet të iu mohojnë fëmijëve një mundësi të rëndësishme për të fituar aftësi kyçe të jetës”, tha ajo.
Venera pohon se fëmijët duke qenë gjithmonë të përcjellur nga prindërit ndihen më të sigurtë deri në një moshë të caktuar . Kur fëmijët të mësohen të kalojnë rrugën vetë e të jenë syhapur,në klasë të tretë ose të katërten,ata mund edhe të shkojnë vetëm ose me bashkëmoshatarë.
“Dukuri në rritje”
Merita Shala, sociologe, thotë që bartja e fëmijëve në shkollë është dukuri e cila po rritet çdo ditë. “Në qendër të Prishtinës ka komunikacion të dendur, e në periferi ka edhe qenë endacakë,e sigurisht që rrezikojnë mirëqenien e fëmijëve”, thotë ajo duke futur dorën e djathtë në xhep të pantollonave të zi. Merita thotë që fëmijët duhet të angazhohen më shumë me aktivitete brenda klasës dhe që duhet rishikuar planprogramet që fëmijët mos të stërngarkohen me material shkollor.
Fëmijët mashtrohen lehtë dhe kështu mund të kidnapohen, nuk janë të rralla këto raste. Këtë e vë në pah edhe Merita Shala, duke bërë thirrje që fëmijët të ruhen jashtë mase edhe nëse vetëm dalin nga banesa e lëre më larg.
“Di raste që prindërit janë detyruar edhe ta ndërprejnë orarin e punës vetëm të arrijnë në kohë përpara dyerve të shkollës për të marrë fëmijët”, thotë ajo.
“Ose me pru vete ose me ia pagu transportin”
“Ose me pru vetë n’shkollë ose me pagu kombin me ardh me marr e me pru prej shkollës”, thotë Liridoni që gjithmonë vajzën e tij e sjellë në shkollë me veturë.
Joriku, Klesti, Erblini, Shemi dhe Andi, që të pestit në klasë të tretë, thonë që vijnë vetë në shkollë sepse jetojnë afër dhe tashmë janë mësuar me komunikacionin e dendur. “Mami gjithë bohet merak kur vonohna,edhe kur tdal prej banesës gjithë mthot ruju” thotë Klesti duke buzëqeshur e duke shtrënguar krahët e çantës.
Afër shkollës shihen të parkuar plot vetura e edhe shumë kombi-busa, të cilët kanë sjellë fëmijët me pagesë mujore varësisht nga largësia shtëpi-shkollë. E njëri nga shoferët duke e kthyer kokën në anën tjetër thotë që e ka si rrogë pagesën nga prindërit e nxënësve.
Po të tjerët?!
Ganimetja, që sot erdhi ta regjistroj djalin e saj në klasë të parë, frikësohet ta lë vetëm djalin për në shkollë.”Ka kerre shumë, e besa edhe qito çanta t’rana” thotë Ganimetja duke u munduar ta ndalë dritën e diellit me dorë.
Sot rastisi dita që shumë nëna e baballarë kanë ardhur t’i regjistrojnë fëmijët në klasë të parë, e secili prej tyre duhet të mendoj se si t’ua sigurojnë një transport. Ganimetja thotë që ende nuk ka menduar për këtë çështje. “Ni kohe kam me pru vetë se djali tutet, tani ose ja paguj ni kombi ose duhet me pru gjithë derisa tmsohet me kalu rrugën” thotë ajo.
Ajo gjithashtu tregon që në kohën kur ajo ka qenë fëmijë ka shkuar vetë në shkollë sepse nuk ka qenë dinamika e sotme.”Kohët po ndryshojnë”tha Ganimetja. /GazetaIntro/