Aktuale

Këto janë pamjet nga plaçkitja e një banke që ndodhi para pak minutash në Prishtinë

Gazeta Express u sjell fotografi nga vendi i ngjarjes, ku para me pak se një ore u plaçkit me armë një bankë në dalje të Prishtinës.

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arritur të identifikojë veturën me të cilën katër të dyshuarit kanë kryer plaçkitjen e më pas janë arratisur.

Gazeta Express ka raportuar se tre prej katër plaçkitësve ishin të armatosur me armë të gjata. Ata kanë arritur të plaçkitin thasët me para që po futeshin në objekt nga sigurimi i bankës.

“Ju njoftojmë se sot rreth orës 15:00 policia ka marrë informatën për një grabitje të armatosur. Grabitja ka ndodhur në filialin e një banke që gjendet në Çagllavicë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni strukturat rajonale për hetimin e krimit me një intensitet të shtuar kanë filluar ndërmarrjen e një varg veprimesh operative dhe hetimore. Mbështetur në rezultatet e para të grupit hetimor që po zhvillon hetimet lidhur me rastin në fjalë, dyshohet se kjo grabitje është realizuar nga katër persona të dyshuar dhe të armatosur”, ka njoftuar PK’ja.

“Të dyshuarit pas grabitjes janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë e cila është identifikuar nga ana e policisë. Aktualisht policia po punon me përkushtim për të identifikuar të dyshuarit dhe vendndodhjen e tyre”, shton tutje Policia.

Gazeta Express ka raportuar se plaçkitja e armatosur ka ndodhur gjatë kohës kur në bankë po futeshin para me thasë nga jashtë. Plaçkitja ka ndodhur përkundër se paratë në bankë silleshin me kombi nga pjesëtarët e sigurimit të bankës.

Plaçkitja ka ndodhur rreth orës 15:00. Plaçkitësit kanë arritur të largohen menjëherë nga vendi i ngjarjes. Filiali i bankës e cila është plaçkitur është e “Teb Banka”, shkruan Gazeta Express.

Në muajt e fundit, rastet plaçkitjeve të armatosura të bankave në Kosovë janë rritur dukshëm. Kujtojmë se para pak muajve një pjesëtarë i policisë në Istog u vra, derisa disa plaçkitës të armatosur po vidhnin në një bankë në këtë qytezë. /GazetaExpress/.

the authorBurbuqe Metolli