Pasi institucionet të përballen me temën e demarkacionit në javët e ardhshme, dhe pasi BE ta thotë fjalën e saj për viza, Ministria e Integrimeve, mund të shuhet duke funksionuar si agjenci në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Të njëjtin fat mund ta ketë edhe Ministria e Diasporës, ajo e Dialogut si dhe e Administratës Publike.
Bekim Çollaku mund të mbetet pa zëvendësues në Ministrinë e Integrimeve, të paktën derisa sa Kosova të kryejë disa procese që për vendin po konsiderohen si të planit të parë – që është Demarkacioni. Pas mbylljes së këtij procesi, në rast se nuk ka ministër të ri për Integrime atëherë riformatimet në Qeverinë e Kosovës do të sjellin shuarjen e kësaj ministrie, pas gati dy mandateve ekzistencë.
Kryeministri Isa Mustafa ka kohë që ka paralajmëruar riformatim të qeverisë së tij të parë. Ndonëse, disa herë e ka përsëritur këtë ide, deri me tash pothuajse asgjë s’ka lëvizur në kabinetin e tij.
Ndryshimi i fundit që është bërë ka qenë dorëheqja e Kujtim Shalës nga Posti i Zëvendëskryeministrit të Kosovës, dhe zëvendësimi i Hajredin Kuçit me Dhurata Sadiku-Hoxhën në Ministri të Drejtësisë, pasi i pari zuri postin e Shalës në Kryeministri.
Por, një ndryshim në kabinetin e tij, Mustafa do të detyrohet ta bëjë pasi Bekim Çollaku e braktisi atë dhe Ministrinë e Integrimeve për ti shkuar shef Hashim Thaçit në kabinetin e tij presidencial.
Megjithatë, zëvendësimi i Çollakut nuk pritet të ndodhë shumë shpejtë. Kjo ministri pritet të funksionojë, të paktën për një kohë, derisa vendi ta mbyllë procesin e demarkimit me Malin e Zi, me ushtrues detyre, shkruan Gazeta Express.
Mirëpo, edhe ai që sipas detyrës zyrtare e zëvendëson Ministrin, tashmë të dorëhequr, zëvendësministri i Integrimeve, Ramadan Ilazi, me gjasë do ta braktisë këtë dikaster qeveritar. Gazeta Express mëson se Ilazi për pak kohë do të largohet nga Kosova për të vazhduar studimet e doktoraturës në kryeqytetin Irlandez, Dublin.
Gazeta ka provuar të flasë në telefon me Ramadan Ilazin, por kontakti me të ka qenë i pamundur.
Nga ana tjetër, burime të Gazetës Express, kanë treguar se koalicioni nuk do të shqyrtojë çështjen e zëvendësuesit të Çollakut në Ministrinë e Integrimeve, kjo pasi, sipas tyre, Ministria e Integrimeve shumë shpejtë mund të shuhet krejtësisht – si pjesë e riformatimeve.
Por, riformatimet në fjalë, sipas burimeve brenda Qeverisë Mustafa, nuk do të ndodhin e as nuk janë në plan të parë, pa përfunduar procesi i Demarkacioni në Kuvend, që nga qeveria po llogaritet si i rëndësisë së veçantë pasi që nga votimi i tij varet edhe vendimi për liberalizmin e vizave për kosovarët – që fjalën e fundit për to pritet ta jep Parlamenti Europian gjatë tetorit.
Gazeta Express mëson se po ashtu, këto riformatime, mund të përfshijnë edhe shuarjen e Ministrisë pa portofol të Dialogut që e udhëheqë Edita Tahiri, dhe atë të Diasporës që iu është besuar Valon Muratit të Lëvizjes për Bashkim.
Shumë shpejtë mund të ndodhë që edhe Ministria e Administratës Publike të shpërbëhet. Sipas burimeve të Gazetës Express, shuarja e saj është diskutuar ndërmjet PDK dhe LDK’së. /GazetaExpress/.