Pas deklaratave të kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe ish kryetarit Avni Kastrati që kanë kërkuar nga qytetarët të mos marrin pjesë nesër në protestën e paralajmëruar në këtë komunë, janë lajmëruar organizatorët e saj.
Dy të lartpërmendurit kanë thënë se nuk duhet bashkuar protestës që nuk i dihen organizatorët, e Ardion Gashi është djaloshi që ka dërguar të dhëna dhe fotografi madje edhe kërkesën që ka bërë në Komunë.
Si reagim kundër deklaratave të Bahtirit dhe Kastratit, Gashi edhe i ka ft6uar të dy të marrin pjesë nesër në protestën paqësore e cila do të mbahet në ora 16:00 pranë Urës së Ibrit në Mitrovicë.
“Ftojmë Agim Bahtirin dhe Avni Kastratin që t’i bashkohen kësaj proteste paqësore për të cilën Ardion Gashi njëri nga organizatorët e kësaj proteste ka kërkuar leje nga Komuna e Mitrovicës. Jo siç thotë Agim Bahtiri se nuk mund ta përkrahim një protestë e cila nuk dihet nga kush është thirrur! Për protestën e së dielës është kërkuar leje nga Komuna e Mitrovicës, por me pamundësi që leja të kërkohet fizikisht ajo është dërguar në e-mailin zyrtarë të Komunës së Mitrovicës dhe në faqen zyrtare në facebook nga e cila na është kthyer një konfirmim se kërkesa ka arritur tek i dërguari (Komuna e Mitrovicës)”, thotë Gashi./ Lajmi.net
NGA: Ardion Gashi
PËR: Komunën e Mitrovicës
KËRKESË PËR PROTESTË
Unë, Ardion Gashi, në emër të grupit organizativ të protestës, që do të mbahet më datën 3 korrik 2016, në orën 16:00, tek Ura e Ibrit në Mitrovicë, përmes kësaj shkrese, dëshirojmë të kërkojmë nga Komuna e Mitrovicës, leje për mbajtjen e kësaj proteste paqësore, kundër vendosjes së bustit të Car Llazarit, në tokat tona.
KONTAKTI:
ARDION GASHI
04x/ xxx xxx
01.07.2016






