Aktuale

Këta janë kandidatët për drejtor të Institutit të Mjekësisë Ligjore

Ministria e Administratës Publike ka hapur konkursin për Drejtor të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Konkursi është hapur më 3 nëntor dhe do të jetë i hapur deri më 15 nëntor, kurse paga bruto për këtë pozitë është mbi 1000 euro.

Pjesë e këtij konkursi do të jetë edhe drejtori i tanishëm i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, i cili për portalin “Arbresh.info” ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në këtë konkurs.

Gërxhaliu thotë se ende nuk ka konkurruar, por që këtë do ta bëj brenda afatit kohor, dhe se është i interesuar që punët që kanë mbetur në gjysmë në këtë Institut t’i përfundoj vet.

Ai thotë se të gjitha ndërrimet e ish- Institutit i ka bërë vet, për ta sjellë këtë Institut deri në këtë nivel të agjensionit, duke e shkëputur nga Ministria e Shëndetësisë.

“Që dy vite është bërë agjensioni si Institut i Mjekësisë Ligjore dhe jam vet arkitekt i kësaj, ka edhe pak punë për ta kompletuar, sepse duhet të certifikohen sektorët, andaj nuk kisha pasur dëshirë që këto të mbesin në gjysmë”, u shprehë Gërxhaliu, duke bërë me dije se do të konkurroj për këtë pozitë .

Gërxhaliu, përmend krijimin e sektorëve të ndryshëm brenda këtij Instituti, duke përfshirë, Zyrën për Persona të Zhdukur dhe Mjekësi ligjore në 2002 dhe Departamentin për Mjekësi Ligjore nën Ministrinë e Drejtësisë në 2008.

Ndërkohë, “Arbresh.info” mëson se për këtë pozitë do të konkurrojnë edhe mjekët ligjor Musa Gashi dhe Naim Uka.

Konkursi për këtë pozitë është i hapur, dhe të drejtë konkurrimi kanë të gjithë nëpunësit civil në pozita të larta drejtuese, pozita drejtuese ose në pozita të barasvlershme në institucionet e administratës publike apo në kompanitë publike ose private.

Mandati i kësaj pozite do të jetë për tri vjetët e ardhëm./Arbresh.info/