Si deputetët e legjislaturave të kaluara, ashtu edhe ata që për herë të parë janë bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës, përveç pozitës së deputetit, mbajnë edhe punë të tjera. Ligji obligon ata që në afat prej 15 ditësh të deklarojnë se cilën pagë dhe cilën punë do ta kenë parësore.
Edhe pse arritën të bëhen pjesë e Kuvendit të Kosovës, disa nga deputetët e kësaj legjislature nuk kanë hequr dorë nga punët tjera që ata bëjnë. Ka deputetë që përveç pozitës, të cilën e kanë në Kuvendin e Kosovës, punojnë edhe në sektorin publik e po ashtu edhe në atë privat.
Kryetari i AKR-së, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, Behxhet Pacolli, ka aksione në më shumë se 10 shoqëri komerciale në vend, ndërsa deputeti nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, është pronar dhe bashkëpronar i disa bizneseve.
Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, vazhdon edhe më tej të punojë si mjek, ashtu si dy deputetët tjerë të këtij subjekti, Ardian Shala, i cili punon edhe në sektorin publik e në klinikë private e po ashtu edhe Ekrem Hyseni, që ushtron po të njëjtin profesion.
Deputeti nga radhët e AAK-së, Arbër Tolaj, vazhdon të jetë drejtor i Klinikës së Ortopedisë në QKUK, ndërsa deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, është kryesues i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit. Edhe deputeti nga po ky subjekt, Fitim Uka, është ligjërues i psikologjisë në Universitetin e Prishtinës.
Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, e cila po ashtu mban një punë tjetër, ka thënë për “Zërin” se ka lënë të gjitha punët që ka pasur, përveç punës në arsim. Ajo ka thënë se ka punuar në klinika private si mjeke e po ashtu është marrë me art.
Pavarësisht që ka hequr dorë nga punët që ka bërë, ajo ka thënë se si deputete e re e Kuvendit të Kosovës ende nuk ka marrë pagë. “Unë kam lënë punët tjera që kam pasur. Jam marrë me shëndetësi, kam punuar edhe në klinika private, por e kam lënë punën në shëndetësi. Të vetmen gjë që duhet ta mbaj është arsimi, sepse aty e kam bërë sekondare pagën. Jam marrë edhe me art, me shkrime e me konferenca të ndryshme dhe mendoj që është moment i rëndësishëm ta fokusoj kontributin tim në parlament. Me gjithë eksperiencën që e kam në fushën e arsimit, të shëndetësisë e të artit, do të mundohem të kontribuoj”, ka thënë ajo.
Me konstituimin e Kuvendit të Kosovës Reshitaj ka lënë edhe pozitën e saj si këshilltare e kryeministrit në largim Ramush Haradinajt. “Kam marrë pagë sekondare si këshilltare e kryeministrit, pasi primare e kam lënë arsimin. Kur kam qenë ministre pozitën e ministres e kam pasur primare, sekondare e kam pasur arsimin. Në momentin që është konstatuar Parlamenti unë jam tërhequr nga pozita e këshilltares”, ka potencuar ajo.