Deputeti i Kuvendit të Kosovës Rexhep Selimi, ka deklaruar se Vetëvendosja nuk do të ndryshojë qëndrim sa i përket Demarkacionit dhe Asociacionit.
Selimi në një deklaratë të dhënë për Gazeta Blic, potencoi se tash gjërat kanë ndryshuar dhe opozita është më e madhe se pozita.
“Tash në Kuvend raportet janë ndryshe, ne jemi dyfishuar, kurse pushteti nuk i ka më 2/3 e deputetëve. Mazhoranca nuk i ka 81 deputetë dhe opozita është më e madhe se pozita”, tha Selimi.
Selimi më tej ka shtuar se duhet pritur qeverinë se si do të veprojë, por Vetëvendosja do ta kundërshtojë gjithnjë Asociacionin.
“Duhet pritur njëherë veprimet që do të ndërmarrë qeveria lidhur me komisionin për shënjimin e kufirit, ne nuk kemi ndërruar mendje sa i përket marrëveshjes, por nëse do të vinte në kuvend ne do ta votojmë kundër gjithsesi”, u shpreh ai për Gazeta Blic.
Ndryshe, mediat kanë raportuar se Lista Serba ka kushtëzuar hyrjen në Qeveri me miratimin e Asociacionit.
Në anën tjetër, Gjykata Kushtetuese kishte nxjerrë një vendim për çështjen e Asociacionit, sipas së cilës marrëveshja e nënshkruar në Bruksel ndërmjet Kosovës e Serbisë, bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës./ Gazeta Blic