Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic, nuk ka bërë thirrje për luftë, ka thënë këshilltarja e Presidentit serb, Stanislava Pak.
Ajo theksoi se Nikolic nuk tha se ai do të shkojë në luftë me të bijtë e tij, dhe se një titull i tillë i një gazete është “shtrembëruar”, raporton agjensia Tanjug.
“Edhe kjo na duhej, ka thënë se Serbia nuk do të shkaktojë konflikte, nuk do të provokojë dhe as që i do … Edhe Patriarku tha – larg qoftë që ne të shkojmë në luftë … Dhe çka nëse, Zoti na ruajt, ndodhë ’Oluja dy’ (aksioni kroat në Kroaci në vitin 1995 kundër krainës serbe), çka do bëjë Serbia, të rri duarkryq … “, tha Pak në TV Pink, duke shtuar se ai nuk beson se një konflikt i tillë mund të ndodhë, por theksoi se Serbia është e gatshme për çdo skenar të mundshëm.
Pak tha se në media, në mënyra të ndryshme, mund të paraqitet ndonjë situatë.
“Ju e keni parë deklaratën e Presidentit, ditëve të fundit, që Serbia kurrsesi nuk dëshiron konflikte, dhe sidomos nuk dëshiron luftë në provincën jugore serbe, dhe se nëse situata është drastike, dhe nëse shqiptarët i vrasin serbët, Serbia duhet të reagojë. Në këtë mesazh paqësor ndodhi një shtrembërim krejtësisht i ndryshëm në media, që Nikolic bën thirrje për luftë, se po vishet në uniformë, që me bijtë e tij do të shkojë në luftë në Kosovë, që nuk patëm një rast të tillë”, tha Pak./GazetaExpress/