Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, ka pranuar sot se disa vende e kanë tërhequr njohjen ndaj shtetit të Kosovës. Këto deklarime ai i ka bërë teksa i është përgjigjur pyetjes së një qytetari në Facebook.
“Fatkeqësisht, disa vende i kane terhjek njohjet e tyre per Kosoven. Nuk mendojme qe ka ndonje justifikim per keto veprime. Kosova i permbushe te gjitha kriteret per te qene nje shtet i pavarur, ne e kemi pranuar Kosoven si shtet i pavarur dhe sovran”, shkruan O’Connell.
Tërheqjen e njohjeve e ka mohuar këshilltari i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Jetlir Zyberaj.
“Kjo nuk është e vërtetë. Ne jemi në kontakt me departamentin e shtetit, me ta mbajmë kontakte të vazhdueshme, po ashtu edhe me partnerë ndërkombëtarë, kjo absolutisht nuk është e vërtetë”, ka thënë Zyberaj për Gazetën Express.
Ai ka thënë se nëse një vend e tërheq njohjen atëherë Ministria e Punëve të Jashtme njoftohet menjëherë.