Rajon & Botë

Kerry: Sulmet ajrore në Alepo paraqesin krime lufte

Në shënjestër të një rundi të ri të sulmeve ajrore të sotme ishte enklava e zvogëluar nën kontrollin e kryengritësve në qytetin Alepo në Siri, derisa sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, vlerësoi se “bombardimet joproporcionale” të qeverisë së Sirisë, paraqesin “krime të luftës” dhe u ka bërë thirrje mbështetësve të Damaskut, Rusisë dhe Iranit, të ndihmojnë në përfundimin e sulmeve.

Kerry, po ashtu, tha se “Rusia dhe presidenti sirian Bashar al-Assad, e kanë momentin të tregojnë pak mëshirë pasi janë në pozitë dominante”.

John Kerry dhe diplomatë të tjerë të lartë takohen me pjesëtarët e opozitës siriane në Paris, për të diskutuar për mënyrën e shpëtimit të Alepos “nga shkatërrimi absolut dhe i tërësishëm”, derisa dhjetëra mijëra civilë po largohen nga rajoni.

Rusia ka thënë sot se afro 50 mijë civilë janë larguar nga pjesa lindore e qytetit gjatë dy ditëve të kaluara, transmeton rel.

Njëherësh, ekspertët ushtarakë amerikanë dhe rusë pritet të takohen në Gjenevë për të diskutuar për detajet lidhur me largimin e kryengritësv nga pjesa lindore e Alepos.

Për më pak se një muaj, trupat e qeverisë së Sirisë dhe milicitë aleate e kanë marrë kontrollin ndaj 85 % të pjesës lindore të Alepos, duke i detyruar kryengritësit që të zmbrapsen në pak lagje.