Njohuritë mbi rreziqet e sulmeve kibernetike dhe sigurinë kibernetike në përgjithësi u mungojnë një pjese të madhe të qytetarëve, si dhe zyrtarëve të institucione publike.
Kështu ka thënë zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa, gjatë takimit të Këshillit Shtetëror për Siguri Kibernetike, ku theksoi se përkundër përshtypjes së krijuar në opinionin se qytetarët kanë njohuri mbi sigurinë kibernetike e vërteta është shumë më ndryshe.
“Zhvillimet teknologjike e bëjnë të domosdoshme miratimin e ligjeve, siç është ai i Kodit Penal dhe ai i Krimit Kibernetik. Të gjitha institucionet publike, si dhe ato private, duhet përfundimisht ta kuptojnë më mirë rëndësinë e sigurisë kibernetike, duke hartuar plane konkrete të ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe teknologjike. Parandalimi është lufta më e suksesshme kundër krimit kibernetik”, theksoi Mustafa.
Sipas një komunikate për media të MInisitrisë së Punëve të Brendhsme, të gjithë anëtarët e këshillit me kontributin e tyre gjatë këtij takimi, konfirmuan gatishmërinë e tyre maksimale dhe përmbushjen e objektivave të parapara nga Strategjia për Siguri Kibernetike, duke shpresuar që edhe vendim-marrja në institucionet më të larta të jetë pro kësaj strategjie.
Në fund u njoftua për organizmin e konferencës së parë rajonale për siguri kibernetike, e cila do të mbahet në Prishtinë më 21 dhe 22 nëntor./KosovaPress/





















