Procesi gjyqësor ndaj ish-gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj, mund të hapet për publikun nëse gjyqtari i rastit, Shasivar Hoti, i cili dy ditë më parë mori vendim për mbylljen e gjykimit në tërësi për publikun, do ta vlerësonte vendimin “ex-officio”.
Së paku, këtë mundësi e ka paraparë kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Hamdi Ibrahimi, i cili njëkohësisht ka thënë për “Kohën Ditore” se e kupton shqetësimin e opinionit pas këtij vendimi.
Megjithatë, ka shtuar se si kryetar gjykate nuk i lejohet që ta komentojë atë.
Ndaj vendimit ka reaguar, të premten, edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), duke vlerësuar se Gjykata ka vepruar në kundërshtim me konventat ndërkombëtare, pasi që ekziston interesimi i madh publik që ky gjykim të jetë i hapur.
Në këtë mënyrë, AGK-ja i ka kërkuar Prokurorisë dhe Gjykatës që të shqyrtojnë atë dhe të hapin gjykimin ndaj Mekajt.