Gurë e ngjyrë e kuqe u hodh në drejtim të Qeverisë së Kosovës, derisa në oborr të Qeverisë u vendos pankarta ku kërkohej drejtësi për Astritin.
E gjithë kjo ndodhi kur po përfundonte marshi protestues për të kërkuar drejtësi për Astrit Deharin, i cili një vit me parë ka vdekur në burgun e Prizrenit.
Aksioni i aktivistëve të Vetëvendosjes ndodhi gjatë kohës kur lideri i VV-së Visar Ymeri ishte duke mbajtur fjalën e tij, e ku ai i dha qeverisë së Kosovës afat prej tre muajsh të përmbushin kërkesat e tyre.
Në mesin e kërkesave ishte edhe shkarkimi nga pozita e zyrtarëve si ish ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha, drejtorit të Policisë Shpend Maxhuni, komandant i policisë rajonale në Prizren Nexhmi Krasniqit dhe Fatos Makollit.
“Më 5 nëntor 2016 nuk vdiq Astriti. Ai përherë e më shumë po bëhet i gjallë. Më 5 nëntor 2016 vdiq shteti i Kosovës. Vdiq edhe niveli bazik për një drejtësi të paanshme dhe të pavarur. Vdiq përgjegjësia bazike e institucioneve për tu ofruar siguri qytetarëve. Vdiq funksionimi bazik institucional për përgjegjësi qytetarëve. Vdiq edhe fija e fundit e besueshmërisë së qytetarëve në institucionet e vendit. Më 5 nëntor 2016 e kuptuam se jemi të gjithë të rrezikuar dhe se pavarësisht çka ndodhë, askush as nuk thirret në përgjegjësi, e as nuk merr përgjegjësi. Dhe në këtë përvjetor, ne edhe njëherë e bëjmë të gjallë kërkesën tonë ‘Drejtësi për Astritin’. Qeveria e Kosovës ka afat për të përmbushur kërkesën tonë deri më 5 shkurt të vitit 2018. Pra i ka tre muaj afat për të plotësuar kërkesat e mëposhtme: Lejimi dhe nisja e hetimeve të pavarura të gjithanshme sip as kërkesës së familjes Dehari dhe avokatit që i përfaqëson ata. Nën dy shkarkimi nga pozita zyrtare për t’i hapur rrugë hetimeve, i Dhurata Hoxhës, e cila ishte ministre e drejtësisë e tash ministre e integrimit, Shpend Maxhuni – Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, Nexhmi Krasniqit komandant i policisë rajonale në Prizren dhe Fatos Makollit, drejtor i njësisë kundër terrorizmit”, tha ai.
Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti para protestuesve tha se rënia dëshmor e Astritit dëshmon se Kosova po sundohet nga një kastë e dhunshme kriminelesh që e kanë uzurpuar lirinë, të cilët vjedhin dhe shesin pasurinë shtetërore.
Kurti tha se u bën një vit që duken sa një shekull pa Astritin si një aktivist e patriot i cili punoi gjithnjë për drejtësi e barazi.
“Mbi Astrit Deharin është kryer krimi prej ditës që është arrestuar e deri kur vdiç më 5 nëntor. Atë ditë, pra më 5 nëntor të vitit 2016, Astriti ngelet 4 minuta në qelinë A3 të qelisë së Prizrenit pasi që e gjejnë aty. Për katër minuta njeriu vdes katër herë. Më 3 prill të këtij viti ndiç në rrethana shumë të dyshimta në burg, Naser Makolli, i cili kishte qenë në po atë qeli me Astritin. Nuk është e rastësishme që e pengojnë me zell çfarëdo hetimi të pavarur ndërkombëtar. Astriti këtë realitet të shtetit kriminalisht të kapur e zbuloi lakuriq që do të mund ta shohin edhe sytë e atyre që nuk mund pranojnë të shohin… Duke ndriçuar për neve këtu, ai është me neve këtu si askush tjetër dhe si asnjëri prej nesh. Rënia jote Astrit është si tretja e qiririt në poezinë e Naimit. Ti re për të na bërë dritë e të shohim që njëri tjetrin ta njohim”, tha Kurti.
Kurti shtoi se rënia e Astrit Deharit është dyshimi se populli është ende në lëvizje e nuk është dorëzuar.
E shoku i afërt i Deharit, Egzon Pnishi, duke rrëfyer një pjesë të kujtimeve me Astrit Deharin, theksoi kontributin e tij të jashtëzakonshëm si mjek human që do të bëhej, duke përmendur kërkesën e vazhdueshme të Deharit që në protesta të kishte ekip mjekësor.
“Astriti punën e parë e kreu për ne. Ai na ka bashkuar si shoqëri, ai na e dha mundësinë. Është në detyrën tonë që të vazhdojmë përpjekjet për një shoqëri e një vend ndryshe nga ky që kemi sot e që ka lejuar që ngjarje të tilla, si Astritit që i ndodhën, dhe askush të mos mbahet përgjegjës. Drejtësia për Astritin nuk mjafton vetëm me hetime të pavarura. Ajo duhet të pasohet me veprime konkrete ndaj përgjegjësve. Siç e kemi thënë përherë bashkë me Astritin nëpër protesta, pa drejtësi nuk ka liri”, tha ai.
Në emër të familjes Dehari, Destan Hajdini tha se janë të indinjuar nga pasiviteti i organeve që është dashur ta bëjnë punën e tyre për të ofruar një siguri dhe drejtësi në vend.
Ai tha se jo vetëm që e vranë Astritin por është vrarë siguria dhe drejtësia e Kosovës dhe kjo bën përgjegjës të gjithë pa përjashtim.
“Jo vetëm të zbardhet se kush ishin ekzekutorët por edhe urdhëruesit dhe të krijohen rrethana që ua pamundësojnë atyre që e vranë Astritin që të mos vrasin të tjerët”, tha ai.
Astrit Dehari ka vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku po mbahej në paraburgim për sulmin me mjet shpërthyes kundër Kuvendit të Kosovës që ka ndodhur në mbrëmjen e 4 gushtit të vitit të kaluar./kp