Aktuale

Kërkohet angazhim më i madh në raportimin e mediave për komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian

Raportimi i mediave për komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian, zuri vend në tryezën e organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në bashkëpunim me organizatën Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve.

Sipas njoftimit për media, përdorimi i gjuhës kur paraqiten këto komunitete, steorotipet dhe paragjykimet u diskutuan bashkë me një numër pjesëmarrësish që përbëheshin nga gazetarë dhe redaktorë të mediave dhe persona që punojnë për të drejtat e njeriut.

Ishte kryetari i AGK-së Shkelqim Hysenaj i cili hapi takimin duke folur për profesionalizmin e mediave dhe problemet që përballen gazetarët çdo ditë.

Hysenaj tha se duhet angazhim më i madh në raportimin për këto komunitete.

“Mendoj se ka kaluar koha kur në media duhet të raportohet se këto tri komunitete janë duke jetuar keq, pra në kushte të vështira ekonomike. Tani është koha kur ne duhet të raportojmë për problemet reale që përballet ky komunitet. Ne duhet të raportojmë për faktin se pse këto komunitete zhvillojnë një jetë të tillë”, tha Hysenaj.

Por gjithashtu ai foli edhe për përdorimin e akronimit RAE. Sipas tij, ky akronim po vazhdon të përdoret gabimisht, shpesh herë në mungesë të informacionit të gazetarëve se përdorimi i tij është i pranueshëm për këto tri komunitete.

Fjalët e kryetarit të AGK-së i mbështeti edhe zyrtarja për avokim dhe të drejta të njeriut nga organizata VoRAE, Kadrije Krasniqi.

Ajo prezantoi një raport monitorimi të mediave që ka bërë kjo organizatë tek të cilat është vërejtur gjuhë diskriminuese dhe raportim jo i drejtë.

E po ashtu Krasniqi tregoi se mediat nuk raportojnë shumë për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.

“Përfaqësimi dhe pjesëmarrja e komuniteteve në media po ashtu është një rol i rëndësishëm në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe integrimin e komuniteteve. Aktivitetet e OJQ-së të cilat kanë për qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës për këto komunitete nuk përcjellën nga mediumet e shpesh edhe gazetarët raportojnë jo drejtë.

VoRAE në bashkëpunim me MASHT ka ndarë vitin e kaluar 500 bursa për nxënës të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian edhe pse janë ftuar mediumet nuk kanë raportuar”, potencoi Krasniqi.

Aktivistja për të drejtat e njeriut Aulonë Kadriu, tha se përdorimi i akronimit RAE mohon identitetet e tri komuniteteve heterogjene dhe të ndryshme, me origjinë, tradita, sfida e shqetësime jo domosdoshmërish të njëjta. Ajo tha që nuk mjafton një monitorim thjesht teknik dhe nuk mjafton që gazetarët/et të jenë vetëm “politikisht korrekt”.

Sipas saj ajo që është e rëndësishme është që secili/a që shkruan për jetërat e njerëzve duhet të njohë mirë subjektet për të cilat shkruan me qëllim që të transmetojë informacion të saktë.

“Diskriminimi dhe gjuha stereotipike ndaj romëve, ashkalive dhe egjiptianëve minon mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe bllokon zhvillimin e të gjitha komuniteteve, prandaj kjo nuk duhet parë si çështje vetëm e komuniteteve jo-shumicë, por e gjithë neve”, tha Kadriu.

Edhe vetë gazetarët u pajtuan se shpesh bëjnë gabime kur raportojnë për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, për shkak të mungesës së trajnimeve dhe profilizimit të tyre. Ndërsa gazetari Denis Galushi, i cili punon në Radio Kosova, tha se për komunitetet raportohet vetëm në ditën ndërkombëtare me 8 prill. “Mungesa e hapësirës në emisionet e mediumeve publike bënë që ky komunitet të njihet më pak për të arriturat dhe modelet”, tha Galushi duke rekomanduar që edhe komunitetet të avokojnë më shumë që të ndryshojë pjesëmarrja e tyre në media.

Por pat edhe ankesa sa i përket raportimit nga ana e televizionit publik në Kosovë RTK. Vetë redaktori i emisionit në gjuhën rome “Yekhipe”, Avdi Misini tha se RTK nuk merret me komunitetet pos programit “Yekhipe”. “Nga ana e stafit të RTK-së temat që duhet të shtjellohen si qytetar të Kosovës në momentin që i përket komunitetit romë i adresojnë tek ne si emision dhe nuk merren me publikim të ngjarjes”, tha Misini.

Njëra ndër rekomandimet ishte dënimi i rasteve kur shihet se është bërë shkelje e të drejtave në raportim, që të mos gjeneralizohen situatat nga mediumet dhe të adresohen si sfida të qytetarëve dhe jo si komunitete./KosovaPress/