Aktuale

Kërkohen mbi 10 milionë euro që Kosova të mbrohet nga koronavirusi

Tashmë thuajse të gjitha vendet e rajonit janë prekur dhe kanë konfirmuar rastet e para me koronavirus. E ndonëse në Kosovë nuk ka ende ndonjë rast të konfirmuar, rastet e paraqitura në vendet fqinje kanë ngritur alarmin edhe për institucionet tona.

Ministria e Shëndetësisë i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës mbi 10 milionë euro për t’u ballafaquar me koronavirusin

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia së bashku me Komitetin Koordinues dhe Vlerësues për situatën epidemiologjike për Koronavirus,  kanë përpiluar një plan të veprimit me atë së cilit kërkohen 10 milionë e 13 mijë e 253 euro, në mënyrë që institucionet e vendit të ballafaqohen në rast të shpërthimit të epidemisë.

Vitia tutje ka theksuar se plani është i detajuar dhe përfshinë të gjitha fazat e veprimin në lidhje me ballafaqimin me këtë situatë e krejt në fund parashihet edhe mbyllja e shkollave.

Kujtojmë komiteti për koordinimin dhe vlerësimin e situatës lidhur me koronavirusin, është një trup ndërsektorial që do të shqyrtojë nivelin e përgatitjeve të bëra lidhur me ballafaqimin me raste eventuale të Koronavirusit në Kosovë në vazhdimësi.

Varësisht situatës ky trup ndërinstitucional  do të propozojë edhe masa të reja për t’u mbrojtur./FaktePlus