Shënimi i 47 vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës, përfundoi me student të arrestuar dhe policë të lënduar. Kjo pasi studentët protestuan në momentin që rektori doli të flas në cermoni, si dhe protestës në oborrin e UP-së. Ndërsa, vendi i cermonisë është ndryshuar për shkak se rektorati morri kërcënime në emër të ISIS-it.
Me të marrë fjalën rektori, Marjan Dema aktivistë të lëvizjes studentore “Studim, Kritikë, Veprim”, kanë filluar zhurmën në sallë. Po të njëjtit janë larguar nga salla nga sigurimi i rektoratit. “Ju jeni rektor i pushtetit”, “Universiteti i prontos”, “Universitet të Prishtinës jo të Prontos”, kanë qenë thirrjet e aktivistëve.
Protesta e studentëve vazhdoi edhe në oborrin e UP-së, të cilët janë bashkuar me grupin tjetër të studentëve. Policia thotë ata kanë shfaqur shenja të agresivitetit, si dhe kanë ndërmarrë veprime me të cilat kanë penguar zyrtarët policor që të ushtrojnë autorizimin dhe kompetencën e tyre.
Policia thotë se zyrtarët e saj kanë bërë një reagim duarthatë, deri në momentin kur agresiviteti ka qenë shumë i shprehur me ç’ rast është bërë i domosdoshëm aplikimi i mjeteve ndërmjetëse.
Si rrjedhojë nga kjo situatë pesë policë kanë mbetur të lënduar, dhe të njëjtit kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor. Ndërsa, dhjetë persona janë shoqëruar në stacionin policor.
Nurimshahe Demalia, aktiviste e lëvizjes studentore “Studim, Kritikë, Veprim”, tha se qëllimi i tyre ka qenë pengimi i rektorit Marjan Dema, sipas të cilës është zgjedhur rektor nga pushteti dhe punon për pushtetin.
Ajo shtoi se Policia ka arrestuar 10 aktivistë dhe gjatë arrestimit janë lënduar 7 të tjerë
“Ceremonia është zhvendosur në sallat e rektoratit dhe me mëngjes i gjithë rektorati është rrethuar nga policia dhe është penguar hyrja e studentëve, megjithatë, disa nga aktivistët tanë kanë arritur të hynë në sallë dhe me qëllim kanë pasur pengimin e rektorit Marjan Dema, i cili është rektor i zgjedhur nga pushteti dhe punon për pushtetin. Përveç që do të bëhej zhurmë gjatë mbajtjes së fjalimit ka qenë e planifikuar edhe të hapej një qarqaf me mbishkrimin UP- Universitet i Prontos, por megjithatë aktivistët tanë janë nxjerrur me dhunë nga salla dhe janë arrestuar, kur pjesa tjetër e shokëve kanë dashur të ndihmojnë aktivistët policia ka intervenuar me dhunë dhe me sprej dha ka 7 aktivist të lënduar dhe 10 të tjerë janë të arrestuar dhe nuk po lirohen nga policia”, tha ajo.
Përmes një komunikatë Lëvizja Studentore “Studim, Kritikë, Veprim” ka bërë të ditur se të arrestuar janë: Bardh Ahmeti, Nijazi Beluli, Endrit Shatri, Egzon Azemi, Drin Ahmeti, Trim Gashi, Flamur Pireva, Miran Rrudhani, Premton Zogiani dhe Dardan Bujupi. Ndërsa, aktivistët e lënduar dhe që kanë kërkuar ndihmë mjekësore janë: Aurora Mullatahiri, Aulona Bytyqi, Granit Hoti, Hajredin Krasniqi, Getuar Krasniqi , Arber Morina dhe Amir Kuqi.
Imer Fejza, po ashtu aktivist tha se protesta dhe ngritja e zërit të studentëve karshi kapjes së Universitetit është e drejtë e studentëve.
“Protesta edhe ngritja e zërit të studentëve karshi kapjes së Universitetit është e drejtë e studentëve dhe ta ngrihesh një qarqaf ku t’i jep një qëndrim studentor është e drejta kryesore e çdo studenti. Për shkak të përvjetorit të Universitetit, pra bash sot, ajo çka nuk është e drejtë është intervenimi dhe jo vetëm i Policisë është edhe prania e tyre në hapësirën e Universitetit, ku neni 13 pika 4 ua ndalon futjen në kampusin universitar Policisë, Ushtrisë së Kosovës vetëm në raste të jashtëzakonshme. Rast i jashtëzakonshëm është kapja e Universitetit, kurse kërkesat për ç ‘kapje nuk është rast i jashtëzakonshëm”, tha ai.
Gjithashtu, ai tha se nuk është hera e parë që Policia e Kosovës me po të njëjtat urdhra nga pothuajse të njëjtit njerëz intervenon dhunshëm tek studentët të cilët kërkojnë që Universiteti të jetë Universitet i dijës dhe jo universitet i prontos.
Ceremonia e shënimit të 47 vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës ishte paraparë që të mbahej në sallën e kuqë të Fakultetit Filologjik, por që është mbajtur në sallën ku mbahen mbledhjet e senatit në rektorat. Sipas prorektorit për marrëdhënie ndërkombëtare në UP, Afrim Hoti, ky ndërrim është bërë për shkak se kanë marrë një kërcënim në emër të ISIS-it.
“Kemi pasur kërcënime me shkrim nga persona të paidentifikuar që në emër të ISIS-it kanë paralajmëruar që do të sulmojnë më datën 15 shkurt dhe në mënyrë që të shmanget çdo rrezik eventual, ndonjë sulm apo diçka e ngjashme, ne kemi vendosur ta mbajmë në një sallë më të ngushtë, më të vogël por që është më e kontrollueshme. Është njoftuar Policia në detaje, ata janë duke u marrë në mënyrë të vazhdueshme me letrën, letra është dhe kjo është arsyeja pse kemi lëvizur në një sallë më të vogël”, tha ai.
Pas largimit të aktivistëve nga salla, rektori Marjan Dema ka vazhduar të mbaj fjalimin hyrës, ku tha se ky përvjetor është momenti kur vlerësohet rëndësia, meritat, kontributi dhe vlerat e Universitetit të Prishtinës në shoqërinë kosovare.
“Ky përvjetor është moment kur vlerësohet rëndësia, meritat, kontributet dhe vlerat e Universitetit të Prishtinës në shoqërinë kosovare dhe më gjerë. Universiteti i Prishtinës po thuaj gjysmë shekulli të punës së tij më shumë se secili institucion tjetër e ka dhënë kontributin e pazëvendësueshëm për edukimin, për zhvillimin dhe për lirinë kombëtare. Është krejtësisht e pamundur të veçosh historinë e lëvizjes politike dhe çlirimtare të popullit të Kosovës nga Universiteti i Prishtinës”, tha rektori Dema.
Rektori Dema gjithashtu tha se përkundër të gjitha sfidave me të cilat përballet Universiteti i Prishtinës, po arrin që të shënojë suksese.
Prezent në ceremoninë e festimit të 47 vjetorit të Universitetit të Prishtinës ishte edhe ministri i arsimit, Arsim Bajrami, i cili tha se secila ngjarje e rezistencës, e lirisë, e pavarësisë është identifikuar me Universitetin e Prishtinës.
“Pa dyshim që Universiteti i Prishtinës është një institucion shumë i rëndësishëm në historinë e Republikës së Kosovës, secila ngjarje e rezistencës, e lirisë, e pavarësisë dhe e shtet ndërtimit ka nisë dhe është identifikuar në Universitetin e Prishtinës dhe të gjithë ne jemi krenarë për rrugëtimin gati gjysme shekullorë të këtij universiteti i cili ka qenë sa institucion akademik, aq edhe institucion kombëtarë”, tha ai.
Me këtë rast, rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, ka shpërblyer 13 profesor me mirënjohje për punën e tyre në këtë institucion nga të gjitha fakultetet e UP-së. Po ashtu, janë shpërblyer edhe 13 studentë të dalluar të Universitetit të Prishtinës.
Universiteti i Prishtinës është themeluar me Ligjin mbi Themelimin e Universitetit të Prishtinës, të cilin e miratoi Kuvendi i Krahinës Socialiste të Kosovës, më 18 nëntor 1969. Themelimi i Universitetit të Prishtinës ishte ngjarje historike për popullin e Kosovës, si edhe për mbarë kombin shqiptar. Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13 shkurt 1970, kurse dy ditë më vonë, më 15 shkurt 1970, u mbajt edhe mbledhja solemne e Kuvendit dhe pikërisht kjo datë u shpall Dita e Universitetit të Prishtinës./