Aktuale

Kelmendi: Qeveria është në funksion të zhvillimit ekonomik për Vitinë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi vizitoi të martën komunën e Vitisë, ku u prit nga kryetari Sokol Haliti me bashkëpunëtorë, ku është biseduar për çështje zhvillimore të komunës së Vitisë dhe rreth mundësive që Qeveria e Kosovës do të ofrojë në funksion të zhvillimit ekonomik të kësaj komune, në zhvillimin e bujqësisë dhe në zhvillimin e sferave tjera.

Kelmendi me këtë rast tha se Komuna e Vitisë ka një hapësirë jashtëzakonisht të përshtatshme për investime në bujqësi dhe se nevojitet që fermerët në bujqësi të jenë biznesmenë afaristë.

Ai ka theksuar se për bujqit dhënia e kredive duhet me qenë me kushte të volitshme apo fare pa kamatë, e cila ndikon në prodhimin dhe produktivitetin bujqësor, e cila i nevojitet Kosovës.

Nga ana e tij, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti theksoi se kanë biseduar për zhvillimin ekonomik, pushtetin lokal, sukseset e komunës së Vitisë, rezultatet por edhe vështirësitë dhe sfidat.

Ai tha se Vitia është certifikuar për zonën ekonomike në magjistralen Ferizaj-Gjilan, ku ajo zonë i përket komunës së Vitisë.

Në takim është biseduar edhe për ambientin e biznesit që komuna e Vitisë ka bërë performancë mjaft të mirë për krijimin e një ambienti biznesor, edhe pse është komunë e mesme e Kosovës. Po ashtu, u diskutua edhe tema për potencialin kryesor ekonomik që është bujqësia dhe mundësitë e shfrytëzimit të këtyre potencialeve.