Aktuale

Kelmendi dikur përplasej me Vetëvendosjen, çfarë thotë tani për koalicionin me ta?

Zv.kryeministri në detyrë, Ramiz Kelmendi, ka folur për opsionet e Lidhjes Demokratike për koalicione me PAN-in ose Lëvizjen Vetëvendosje, për t’ia mundësuar njërës nga këto subjekte arritjen e numrave për të formuar Qeverinë.

Kelmendi, për Gazetën Express, ka thënë se vendimet e LDK-së merren pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve. Ai ka përmendur edhe një herë vijat e kuqe kundrejt PDK-së ndërkohë që ka theksuar se për koalicione me partitë tjera bisedimet hapen vetëm pasi të përfundojë certifikimi.

Kelmendi, i cili, si ndërmarrës, ka pasur mosmarrëveshje me Vetëvendosjen, thotë se qëndrimet e tij personale ndaj kësaj Lëvizjeje nuk përfshijnë vendimet e partisë e as nuk do ta pengojnë atë.

“Dallimet e mia politike me Vetëvendosjen nuk i përziej me qëndrimet e grupit dhe të Lidhjes Demokratike. Unë do të kem qëndrime të njëjta me të LDK-së”, thotë Kelmendi.

Për mundësinë e kontrabandimit të deputetëve të LDK-së nëse kjo nuk pranon koalicion me PAN-in që ligjërisht mandatohet për të krijuar Qeverinë, Kelmendi thotë se është joetike të arrihet formimi i Qeverisë në një mënyrë të tillë.

“Nuk do të jem element i kontrabandimit. Është e pamundur dhe joetike që të formohet qeveria në forma të tilla, me deputetë të kontrabanduar”, ka përfunduar anëtari i LDK-së. /Express/