Aktuale

KEK-u ndez ekskavatorët në Shipitullë, premtohet se nuk do të ketë shtrenjtim të rrymës

Korporata Energjetike e Kosovës i ka ndezur ekskavatorët në fshatin Shipitullë për të nxjerr thëngjillin nga nëntoka e këtij lokacioni, ndërsa është premtuar se nuk do të ketë ndërprerje dhe shtrenjtim të çmimit të rrymës elektrike.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arbër Vllahiu, bëri të ditur se marrëveshja me banorët e lagjes Mirena është arritur dhe se të gjitha objektet do të rrëzohen para Vitit të Ri.

“Sot nis puna që do të mundësojë prodhimin e shtuar në Termocentralet e Kosovës, ndërkaq të gjitha objektet në zonë do të rrënohen para Vitit të Ri. Brenda pak kohësh Kosova nuk do të importojë më energji dhe nuk do të shpenzojë paratë e saj për këtë qëllim, por do të prodhojë vetë energji për qytetarët e vet. Kryeministri Haradinaj në 100 ditshin e parë të qeverisjes i ka kushtuar rëndësi të jashtëzakonshme çështjes së energjisë dhe krijimit të kushteve të favorshme për prodhimin e energjisë nga Termocentralet e Kosovës. Angazhimi i për çdo ditshëm i Kryeministrit Haradinaj në çështjen e energjisë ka parandaluar humbjet që mund të përjetonte Kosova në muajt e ardhshëm. Gjithashtu i jep fund edhe shpenzimeve enorme vjetore prej 100 milionë eurosh, siç ka ndodhur në të kaluarën me blerjen e energjisë elektrike”, tha ai.

Vllahiu e ripërsërit edhe njëherë qëndrimin e kryeministrit Haradinaj se nuk do të ketë ndërprerje të energjisë dhe nuk do të ketë edhe rritje të çmimit të energjisë elektrike.

Nisjen e punës e ka konsideruar lajm shumë të mirë edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i cili tha se nëse varemi nga importi nuk ka asgjë të sigurt.

“Siç e shihni ekskavatori mbrapa nesh e ka mbi 16 muaj që nuk ka qenë funksional, kosto mujore e këtij ekskavatori është diku rreth 1 milion euro që nuk ka funksionuar, e shihni sa janë ato humbjet enorme që kanë ndodhur me muaj e muaj të tërë për shkak të neglizhencës së një qeverie që nuk ka dashur me i dhënë prioritet fushën së energjisë. Tash kemi ardhur në një situatë ku ishim para kolapsit energjetik, në një situatë ku u përmendën shifra të rritjes së çmimit të energjisë mbi 18 përqind. Pra, me të vërtet kjo besoj se është një arritje jashtëzakonisht e madhe që të sigurohet furnizimi i brendshëm energjetik. Pasi që nëse varemi nga importi asnjëherë, asnjë minutë nuk ka të sigurt as për nga rritja e çmimit të energjisë”, theksoi ai.

Ndërkaq, drejtori menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj, tha se i kanë futur në punë dy ekskavatorë me qëllim të përshpejtimit të procesit dhe për të evituar krizën që mund të kalojë vendi gjatë dimrit.

“Sot përfundimisht po fillojmë aktivitetet, pas një pune dy vjet e më shumë, afër tre vjet. Përfundimisht në mëngjes kemi arritur marrëveshje me lagjen Mirena, siç po e shihni janë duke punuar dy ekskavator, qëllimisht i kemi qitur dy ekskavator për të përshpejtuar procesin dhe për të evituar një krizë që mund të kaloj vendi gjatë sezonës të cilën po hyjmë”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në fillim të mandatit të tij arriti marrëveshje për zhvendosje me banorët e Hades dhe Shipitullës, por kur këta banorë nuk u zhvendosën në afatin e paraparë, Haradinaj tha se disa matrapazë po përfitojnë nga ky proces.

KEK-u kishte kërkuar nga banorët e Hades dhe Shipitullës që të nënshkruajnë kontratat e zhvendosjes deri më 15 dhjetor, por më pas e zgjati afatin për kontrata./kp