Pas zgjedhjeve të 22 tetorit, në mesin e 19 komunave të cilat do të përgatiten për balotazh është edhe ajo e Gjilanit.
Qytet ky i cili në mandatin e kaluar u udhëhoq nga kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, i cili këtë herë do shkojë në balotazh me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshin.
Sipas rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në bazë të votave të numëruara del të ketë më shumë ai i LDK-së.
Mirëpo, ‘Indeksonline’ ka kontaktuar kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajazitin për të mësuar nëse i njëjti do ta mbështesë njërin prej kandidatëve në raundin e dytë zgjedhor.
Pajaziti ka thënë se janë në pritje të certifikimit të rezultateve. Sipas tij, partia e Kadri Veselit ka vendosur që të konkurojë me një platformë tejet ambicioze për zhvillimin e Gjilanit.
Pastaj në rast se dikush dëshiron ti bashkohet kësaj,atëherë ai ka thënë se janë të mirëseardhur.
“Jo skemi marrë ndonjë qëndrim. Po e presum certifikimin e rezultateve nuk është që kanë vendos , ne kemi konkurruar me një platform tonën, një platform e cila ka qenë kogja ambicioze , nëse dikush ka nevojë për implementimin e platformës tonë ne do të bisedojmë. Deri tash nuk e kemi asnjë qëndrim dhe s’kemi bisedu për këtë punë”, ka thënë Pajaziti.
Tutje, ai ka treguar se personalisht nuk ka marrë ende asnjë vendim. Sipas tij, PDK ka platformën e saj që është vullneti i qytetarëve.
“Personalisht nuk kam marrë asnjë vendim e as nuk e kam njëherë në plan të marrë një vendim të tillë. Mbetet të shohim si parti se si me i vazhdu angazhimet tona më tutje, pra kjo është më e rëndësishme sepse është vullneti i qytetarëve i cili ka me kan në plan të parë pastaj edhe qëndrimet partiake”, ka përfunduar ai.
Kujtojmë se në këto zgjedhje lokale të mbajtura në gjithsejt 38 komuna sa ka vendi, kanë sjellë ndryshime të mëdha sa i përket kandidatëve si dhe numrit të votave të siguruara./Indeksonline/