Aktuale

KDI: Vonesa e shqyrtimit te lëndëve në gjykata, mundësi për zhvillim të korrupsionit

Instituti Demokratik i Kosovës sot ka publikuar studimin më të ri “Pritja për drejtësi” i cili rithekson nevojën për kushte më të mira në gjyqësi dhe të angazhojë më shumë juristë për të zvogëluar numrin e lëndëve në gjykata. Raporti u diskutua në tryezën ku merrnin pjesë përfaqësues të gjykatave, prokurorisë, shoqërisë civile.

KDI ofron këshilla ligjore për dëshmitarë, viktima dhe sinjalizues të korrupsionit, i cili shërbim gjatë gjithë vitit ka pranuar raporte të ndryshme nga qytetarët në lidhje me sistemin e drejtësisë në vend, e në veçanti me kohën që ata duhet të presin derisa çështja e tyre të merr epilog përfundimtar para organeve të drejtësisë.

Rastet që janë raportuar në KDI tregojnë që në gjykata vazhdon të mbetet një numër shumë i madh i lëndëve të vjetra e të pazgjidhura, madje edhe nga viti 1999. Nëse një palë, qoftë në procedurë civile, penale, administrative apo ekonomike nuk e merr drejtësinë në kohë të arsyeshme, atëherë detyrohet t’i drejtohet mënyrave të tjera zgjidhjes së çështjeve të tyre.

“Mënyrat e tjera nënkuptojnë rrugët joligjore si mitdhënia dhe favorizimi, që në vete përbëjnë korrupsion”, tha Florent Spahija këshilltar ligjor në KDI.

E gjetura tjetër nga ky hulumtim është kostoja ekonomike që u shkaktohet palëve por edhe vet shtetit nga vazhdimi i pa fund i gjykimeve për çështjen e njëjtë. Palët në këto raste dalin dy herë të dëmtuara, njëherë si taksapagues pastaj edhe si palë në procedurë.

Visar Sutaj nga Instituti Demokratik i Kosovës theksoi që të gjeturat janë bazuar në hulumtimin e realizuar nga kjo organizatë dhe analizimin e statistikave të KGjK-së në lidhje me menaxhimin e lëndëve nga sistemi i drejtësisë, transmeton Klan Kosova.