Aktuale

KDI: 660 mungesa të deputetëve në Kuvend

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në një komunikatë ka bërë të ditur se në monitorimin e punës së Kuvendit të Kosovës gjatë sesionit pranveror të vitit 2018, janë vënë re mungesa të shumta të deputetëve në votim. Ndërsa, thirrja e seancave të reja pa përfundimin e seancave paraprake, ka ndikuar në grumbullimin e pikave të papërfunduara.

KDI thekson se mungesa e kuorumit ka bërë që shpeshherë, Kryesuesi i seancës ta shtyjë votimin e ndonjë pike të caktuar, për një ditë tjetër.

“Janë 20 nga gjithsej 27 seancat e mbajtura gjatë periudhës janar – korrik që kanë vazhduar punimet në ditë të tjera, për shkak të numrit të madh të pikave të rendit të ditës dhe mungesës së kuorumit. Kuvendi nuk ka qenë efikas në organizimin dhe menaxhimin e punimeve të tij. Në njërën anë, Kryesuesi i seancës shpeshherë është detyruar të ndërpres seancën ose ta shtyjë votimin e ndonjë pike të caktuar për një ditë tjetër për mungesë të kuorumit. Ndërsa në anën tjetër, shumë prej takimeve të komisioneve janë anuluar në momentin e fundit për shkak që deputetët kanë qenë në seancë”, thuhet në komunikatën e KDI-së.

Ndërsa, mungesa e deputetëve në votim nuk është shqetësimi i vetëm, thoë KDI, pasi ata gjithashtu kanë munguar edhe në mbledhjet e komisioneve parlamentare, duke u evidentuar kështu 660 mungesa deri në fund të qershorit, praktikë kjo, që bie në kundërshtim me obligimet e deputetëve.

Ndërsa KDI-ja kërkon që ndaj këtyre deputetëve të parashihen ndëshkime, jo vetëm me votë, por edhe financiare.

Sipas monitorimit të KDI-së, rezulton se në Kuvend janë shtruar gjithsej 237 pyetje parlamentare, e këtu kryeson Grupi parlamentar i Vetëvendosjes.

“Vetëm gjatë sesionit pranveror janë parashtruar gjithsej 237 pyetje parlamentare. Grupi parlamentar më aktiv më pyetje është ai i LVV- së me 79 pyetje, pasuar nga LDK me 64 pyetje, PDK me 34 pyetje, PSD me 31 pyetje, AAK me 14, NISMA me 13 pyetje, pyetje, LS me 1 pyetje, 6+ me 1 pyetje, 1 pyetje nga deputeti pa grup parlamentar, Slobodan Petrovic. Përkundër numrave, 61 deputet nuk kanë parashtruar asnjë pyetje parlamentare.”, thuhet në komunikatë. /GazetaExpress