Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se suspendimi i katër zyrtarëve është bërë derisa të përfundojnë hetimet se si i paraburgosuri kishte ikur nga Qendra e Lipjanit.
“Ministria e Drejtësisë, përkatësisht Shërbimi Korrektues i Kosovës, njofton opinionin publik se pas pranimit të informatës mbi arratisjen e të paraburgosurit L. B. nga Qendra e paraburgimit në Lipjan ka dal në vendin e ngjarjes për të inspektuar rrethanat e arratisjes. Pas kryerjes se inspektimeve preliminare, SHKK ka ndërmarr hapa urgjent duke suspenduar nga puna një mbikëqyrës të lart, një mbikëqyrës dhe dy oficer. Këto janë masat e marra deri në përfundim të hetimeve përfundimtare”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Ndërkohë, sot në mëngjes, është raportuar se Labinot Bellagoshi i njohur për drejtësinë si i pandehur për vjedhje dhe grabitje është arratisur të shtunën në mëngjes nga Qendra e Paraburgimit në Lipjan.
Të paraburgosurit e kësaj qendre kanë treguar se arratisja ka ndodhur në mënyrë spektakulare, pa bujë, duke u arratisur përmes dyerve, duke kaluar pa problem të gjithë oficerët korrektues.
Lajmi për arratisjen e të pandehurit Bellagoshi e kishte konfirmuar për Express nga drejtori i Shërbimit Korrektuese të Kosovës, Sokol Zogaj.
“Është e vërtetë se një i paraburgosur është arratisur dje rreth orës 11 prej Qendrës së Paraburgimit në Lipjan. I arratisuri ka qenë i njohur për drejtësinë për vjedhje e grabitje të ndryshme”, ka deklaruar Zogaj