Aktuale

Katër pacientëve nga Vitia pritet t’u bëhet sot testi për të parë nëse janë shëruar

Personi i parë i infektuar me COVID-19 në Kosovë, ishte një 77-vjeçar nga fshati Stubëll i Vitisë, i cili kishte ardhur nga Italia. Përveç tij, u infektuan edhe familjarët e tij, duke bërë që numri i të infektuarve nga ky fshat të shkontë në shtatë. Tre prej tyre tashmë janë shëruar, derisa katër të tjerët do të testohen sot dhe varësisht nga rezultatet do të dihet nëse janë shëruar apo jo, raporton Express.

Për gjendjen në Viti dhe rastit që u konfirmua mbrëmë ka dhënë detaje Kryetari i Komunës, Sokol Haliti. Ai ka treguar për Gazetën Express se e infektuara e fundit nga kjo komunë është vajza e të infektuarit nga fshati Skifteraj, i cili kishte pasur kontakt me viktimën nga Ferizaj.

Vitia ka treguar se sot do të tesohen katër të infektuarit e fundit nga fshati Stubëll, për të ditur nëse janë shëruar apo jo.

“Sot pritet që të testohne edhe katër banorë të Stubllës për të parë nëse janë shëruar plotësisht. Deri tani në të gjitha testet që u janë bërë kanë dal negative dhe gjendja e tyre është shumë e mirë. Jam i bindur që ata tashmë janë të shëruar, por kjo do të konfirmohet në mbrëmje nga instituti. Rasti që ka dalë pozitiv mbrëmë edhe vajza e të infektuarit nga fshati Skifteraj, i cili ka pasur kontakt me viktimën nga fshati Sazli i Ferizajt”, ka thënë Haliti për Express.

I pari i Vitisë ka treguar se në tri ditët e fundit janë testuar pothuajse të gjithë personat që kanë qenë në listën e kontaktit.

“E kemi krijuar një listë me personat e kontaktiti dhe të gjithë ata që janë dyshuar janë testuar gjatë 3-4 ditëve të fundit. Deri tani në Viti janë konfirmuar 21 raste dhe janë tre të shëruar. Po besojmë që listës së personave të shëruar do të iu shtohen edhe këta katër nga Stublla”, ka thënë Haliti.

Ndryshe, mbrëmë janë konfirmuar edhe 36 raste të reja me koronavirus. Me këtë shifër, numri i të infektuarve në të gjithë vendin ka arritur në 423.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, nga data 08 shkurt deri më 15 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 3.720 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 5.279 kontakte të rasteve.

Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej shtatëdhjetë e një, derisa numri i atyre që kanë vdekur ka arritur në nëntë.

the authorGazetaKNN