Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar seancën fillestare ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes , të cilët akuzohen për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës në gushtë vitit 2016.
Katër aktivistët e VV-së, Atdhe Gashi, Frashër Krasniqi, Egzon Haliti dhe Adea Batusha, të cilët akuzohen nga Prokuroria Speciale për kryerjen e veprës penale të terrorizmit, do të dalin para gjykatës me 25 të këtij muaji.
Lajmin për IndeksOnline e ka konfirmuar zyrtarja për media në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
“Lidhur me kërkesën tuaj që keni parashtruar ju njoftojmë se seanca fillestare ndaj të akuzuarve për sulm në Kuvendin e Kosovës është caktuar të mbahet me dt. 25.01.2017 ora 09.00 në objektin D –Departamenti për Krime të Rënda”, ka thënë Gashi.
Ndryshe, me 29 dhjetor të vitit që lamë pas, Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Abdurrahim Islami ka ngritur aktakuzë ndaj katër aktivistëve të Vetëvendosjes, Atdhe Gashi, Frashër Krasniqi, Egzon Haliti dhe Adea Batusha.
Ndërsa, për të dyshuarin Petrit Ademi, në mungesë të provave, prokuroria pati pushuar hetimet.
Hetimet patën pushuar edhe ndaj të ndjerit Astrit Dehari, i cili ndërroj jetë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren me 5 nëntor.
Në aktakuzën e ngritur ndër të tjerat thuhej së të pandehurit kanë vepruar si grup i organizuar, me qëllim që të shkaktojnë frikësimin serioz të popullsisë dhe shkaktimin e ndjenjës se pasigurisë për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës. /IndeksOnline/.