Aktuale

Kapen në flagrancë tre persona duke vjedhur thëngjill në KEK

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në Obiliq, pasi u zunë në flagrancë duke provuar ta vidhnin një kamionetë me thëngjill në zonën e KEK’ut. Të arrestuarit B.G., B.M. dhe A.M. janë ndalur në mbajtje për 48 orë, derisa Policia bën të ditur se ata janë të njohur për ta nga rreth 40 raste të natyrës së njëjtë, shkruan Gazeta Express.

Ky është njoftimi i plotë i Policisë: 

Njësitet policore të rajonit të Prishtinës në kuadër të intensifikimit të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike si dhe goditjes së individëve dhe grupeve kriminale, kanë organizuar punën e tyre me fokus të veçantë zbardhjen e veprave kriminale, identifikim dhe arrestimin e të dyshuarve të implikuar në ngjarjet kriminale.

Operacioni i fundit është realizuar mbrëmë nga njësitet policore të Obiliqit, me ç’ rast  janë arrestuar në flagrancë tre persona të dyshuar, për të cilët dyshohet me bazë të jenë të përfshirë në një rast të vjedhjes së rëndë, që ka ndodhur mbrëmë  rreth orës 20:00, në fshatin Marash të komunës së Obiliqit.

Rasti ka ndodhur, në zonën e KEK-ut, saktësisht në shiritin transportues, ku tre personat e dyshuar, kanë mbushur një kamionetë me  thëngjill dhe të njëjtit derisa po të tentonin të largoheshin nga vendi i ngjarjes janë arrestuar nga ana e policisë. Gjithashtu nga ana e policisë është sekuestruar edhe kamioneta (Ford Tranzit me targa Republikës së Kosovës) e cila ka qenë e mbushur me thëngjill.

Personave të arrestuar:

• B. G, mashkull, 37 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës,
• B. M,  mashkull, 22 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe
• A. M,  mashkull, 19 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës.

Pasi që u është  shqiptuar  masa e ndalimit prej 48 orësh, me rekomandimin e Prokurorit të shtetit,  janë dërguar në qendrën e mbajtjes. Vlen të përmendet se personat e njëjtë kanë qenë të arrestuar edhe disa herë të tjera nga ana e policisë , për raste  (mbi 40 raste) të natyrës së njëjtë (vjedhje, vjedhje të rënda, Grabitje etj).