Aktuale

Kamerat e sigurisë do të vendosen në të gjitha çerdhet e Prishtinës

Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishitnës prej kohësh po planifikon vendosjen e kamerave në të gjitha institucionet parashkollore.
Në kuadër të reformave në arsim që ka ndërmarrë kjo Komunë, në plan të parë është siguria e të gjithë fëmijëve që ndjekin mësimin në institucionet arsimore në kryeqytet. Kështu ka deklaruar për portalin Sakte.net drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci.

“Vendosja e kamerave po bëhet me qëllim të rritjes së sigurisë në shkolla, parandalimit të dhunës dhe veprimeve që mund të lëndojnë nxënësit, respektimit të rendit dhe rregullit në institucionet edukativo arsimore dhe mbarëvajtjes së procesit mësimor në përgjithësi. Janë tash më 20 shkolla në kryeqytet të pajisura me kamera të sigurisë, ndërsa incizimet do të bëhen 24 orë dhe do të ruhen. Tashmë jemi në procesin e vlerësimit të projektit për vendosjen e kamerave në të gjitha institucionet parashkollore të Komunës së Prishtinës. Aktualisht janë duke u analizuar edhe mundësitë buxhetore dhe besoj se në një periudhë të afërt të gjitha institucionet parashkollore – çerdhet do të jenë nën monitorimin e kamerave”, ka deklaruar Nagavci për portalin Sakte.net