Rajon & Botë

Kafshët nëpër fermat e Evropës po keqtrajtohen

Një hetim i gjerë evropian thotë se sistemet e fermave të mëdha po e rrisin rrezikun e keqtrajtimit të kafshëve. Keqtrajtimet nëpër fermat evropiane të kafshëve janë shumë të përhapura. Në to përfshihet heqja e bishtit të derrave për së gjalli, transporti në largësi të madhe dhe gjendja e përgjithshme e thertoreve.

Ky raport, i publikuar nga Gjykata Evropiane e Auditorëve, thotë se problem të veçantë paraqesin fermat e mëdha, sepse interesi ekonomik i tyre shpesh sjell shkelje të rregullave të mirëmbajtjes. “Auditimi ynë dhe disa raporte tjera tregojnë se është vështirë të njoftohet për ndonjë përmirësim në fermat e mëdha dhe në forcimin e zbatimit të ligjit lidhur me to”, tha Janusz Wojciechowski, anëtar i kësaj gjykate, i cili ishte edhe përgjegjës për raportin e publikuar.

“Në sistemet e fermave të mëdha, rreziku ndaj mirëqenies së kafshëve është më i madh. Kur në një vend mbahen 100 mijë derra, është shumë e vështirë ta kontrollosh gjendjen. Fermat e vogla janë vende më të lehta për t’i mbajtur standardet e mirëqenies së kafshëve”, shtoi ai. Janë gjetur fakte të qarta se disa ferma në Gjermani dhe Rumani ua heqin bishtin derrave për së gjalli. Mbikëqyrësit thanë se kjo është vërejtur edhe në vende të tjera, përfshirë Italinë dhe Britaninë e Madhe. Një gjë e tillë ishte ndaluar në BE që nga viti 2001, por sërish është vepër mjaft e përhapur. Ndonëse një fermer në Rumani kishte marrë fonde nga BE-ja për mirëqenien e kafshëve, në fermën e tij u gjetën dëshmi për heqjen e bishtave të derrave.

Në raport thuhet se vetëm në dy vende të BE-së, në Finlandë dhe Suedi, fermat e kanë shmangur këtë lloj të keqtrajtimit dhe kanë ofruar materiale të mjaftueshme për t’ua lehtësuar jetën kafshëve. Problem në këtë raport paraqet edhe procesi i therjes në thertore. Gjatë inspektimit u zbulua se kafshët nuk po thereshin në atë mënyrë që të mos përjetojnë dhimbje dhe keqtrajtim. Vërejtje u dhanë edhe për mënyrën e transportimit të kafshëve, sidomos kur bëhet fjalë për distance të gjata.

Komisioni Evropian i ka pranuar pothuajse të gjitha rekomandimet e këtij raporti dhe ai së shpejti do të paraqitet në Parlamentin Evropian dhe në Komisionin për Bujqësi, me ç’rast pritet tw nisin diskutimet për ndryshim të legjislacionit dhe marrje të masave të nevojshme, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

the authorBurbuqe Metolli