Pjesëmarrësit që po marrin pjesë në Festivalin e Kafes dhe Çajit shprehen të kënaqur me interesim e qytetarëve për produktet të cilat ata po i ofrojnë.
Festivali i Kafes dhe Çajit ku po marrin pjesë rreth 25 brende të njohura po konsiderohet si mundësi e mirë për t’u argëtuar qytetarët e Prishtinës.
Arben Tërshnjaku nga kompania prodhuese “Liri” tha se është hera e dytë që po marrin pjesë në këtë festival, i cili po bëhet tradicional dhe po prezantojnë ëmbëlsira që shoqërohen me kafe dhe çaj.
Ai u shpreh mjaft i kënaqur me interesimin e qytetarëve që kanë treguar për produktet e tyre.
“Këtë vit po marrim pjesë për herë të dytë në Festivalin e Kafes dhe Çajit dhe siç duket ky festival po bëhet tradicional, interesimi është mjaft i madh dhe tash është kohë dreke dhe njerëzit po ndalen në stendën tonë pasi që kemi disa lloje të ëmbëlsirave që shoqërohen me kafen dhe çajin edhe po e bënë këtë manifestim edhe më të mirë “, tha ai.
Tërshnjaku duke mbetur me shpresën që do të mbahen manifestime tjera të tilla ka ftuar qytetarët të vijnë dhe të ëmbëlsohen me produktet e kompanisë “Liri”.
Përveç pjesëmarrësve nga Kosova, në festivalin e Kafes dhe Çajit po marrin pjesë edhe prodhues nga Shqipëria .
David Bejleri nga Shqipëria tha se për herë të dytë po marrin pjesë në këtë festival ku po promovojnë linjën e çajit i cili prodhohet në Shqipëri.
Bejleri thotë se janë të kënaqur me interesim e qytetarëve të Prishtinës ndaj produktit të tyre prandaj do të marrin pjesë edhe vitin tjetër.
“Ne kemi qenë edhe vitin e kaluar kemi marrë pjesë edhe sivjet, kemi prezantuar gamën e çajrave, kompania është kapital ‘resource’, ushtron aktivitet në Shqipëri në prodhim dhe pastaj edhe në rajon me distribucione me partneritet, ne e kemi linjën e çajrave që i prodhojmë në Shqipëri, këtu në Kosovë jemi goxha prezent në trend, kemi dy ditë në panair, ka interesim goxha të madh të konsumatorit, të klientelës, të komunitetit këtu të Kosovës për momentin çdo gjë po shkon për mrekulli, tani besojmë që edhe vitin tjetër do marrim pjesë“, tha Bejleri.
Përveç, pjesëmarrësve edhe vizitorët u shprehën të kënaqur me produktet që po ofrohen në festival e kafes dhe çajit.
Lavdrim Shala tha se përmes këtij organizmi qytetarët po kanë mundësi t’i provojnë të gjitha çajërat që janë në tregun e Kosovës.
Ai po ashtu u shpreh i kënaqur me kualitetin e brendeve që po ofrohen në këtë manifestim.
Shala: Jam i kënaqur me kualitetin që po ofrohet
“Organizimi është i mirë i kemi gjithë prodhues, të gjithë çajat që janë në tregun tonë i kemi në një vend po kemi mundësi me i provuar edhe jam i kënaqur me kualitetin i cili po ofrohet”, tha Shala.
Luan Hoxha ka përgëzuar komunën e Prishtinës për këto evente tha se përmes këtyre ngjarjeve njerëzit po duken më të këndshëm e me disponim tjetër.
“Ne u mësuam me këto evenimente shumë të bukura të cilat rrjedhin prej komunës së Prishtinës edhe më të vërtet është një eveniment shumë i bukur, po i shohim njerëzit më të gëzuar, më të këndshëm, shihet si bisedojnë, disponimi është krejtësisht tjetër”, tha ai.
Ndryshe, Festivali i Kafes dhe Çajit, do të sjell një frymë të re tek qytetarët pasi që vet karakteri i këtij festivali është argëtues, informues dhe promovues./kp