Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi, ka lëshuar akuza të forta në drejtim të kreut të Kuvendit, Kadri Veselit.
Kadaj-Bujupi ka thënë se Veseli “po bën sehir para rikolinizimit të Mitrovicës”, në vend që të kundërshtojë e të kushtëzojë Serbinë, kryeministrin e saj, Aleksandar Vuçiq, dhe ata që ajo i ka quajtur “tre ushtarët e tij nga Lista Serbe në Qeverinë Mustafa”, raporton Gazeta Express.
“Kadri Veseli po bën sehir para rikolonizimit të Mitrovicës ani se vjen prej asaj komune. Kryetari i PDK-së, kryetari i Kuvendit dhe ‘ish’ kreu i ShIK-ut, po pin limonata në vapën prishtinase. Në vend se ta kundërshtojë e kushtëzojë Serbinë, Vuçiqin dhe tre ushtarët e tij nga Lista Serbe në Qeverinë Mustafa, krejt çka bën Kadri Veseli është se e ndërsen një OJQ në Mitrovicë kundër kryetarit të Mitrovicës Agim Bahtiri”, ka shkruar Kadaj-Bujupi në llogarinë e saj në Facebook.
“Mbase Veseli nuk e çau kokën për Mitrovicën as kur u nda ajo në qershor 1999 dhe as kur prej pjesës veriore u dëbuan afër 12.000 shqiptarë në shkurt 2000. Prandaj edhe sot rikolonizimin e Mitrovicës dhe Zveçanit e shoqëron veçse me një buzëqeshje nga kolltuku në Prishtinë”, thuhet në shkrimin e ish-anëtares së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.