Aktuale

A ka vota të mjaftueshme për Demarkacionin: Seanca e jashtëzakonshme nesër nga ora 10:00!

Edhe pse zyrtarisht nuk ka vota për miratimin e projektligjit për marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi, nesër do të vazhdoj seanca e jashtëzakonshme nga ora 10:00.Gazeta Blic e ka siguruar njoftimin e Qeverisë, ku njoftohen ministrat se do të vazhdoj seanca e jashtëzakonshme.

Në këtë njoftim thuhet se “Të nderuar/a, Njoftoheni se Seanca e Jashtëzakonshme, i vazhdon punimet nesër e mërkurë, më 28 shkurt, me fillim në orën 10:00, në sallën e Kuvendit.
Rendi i ditës:
Shqyrtimi i Projektligjit nr. 06/L-060 për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi”

Ndërkohë, zyrtarisht si nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nga Lista Serbe kanë theksuar se nuk do ta votojnë këtë projektligj.Aktualisht janë vetëm 78 deputetë pro marrëveshjes për Demarkacionin, vota këto të pamjaftueshme për ratifikim në Kuvend të kësaj marrëveshjeje ndërkombëtare.Nevojiten edhe 2 vota, në mënyrë që Kuvendi i Kosovës ta ratifikoj këtë marrëveshjeje.Ndërkaq, Gazeta Blic nga burime të saja ndërkombëtare ka marrë vesh se sot në takimin ndërmjet kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit serb, Aleksander Vucic ndër të tjera do të flitet edhe për marrëveshjen e demarkacionit Kosovë- Mali i Zi.

Sipas këtyre burimeve, Merkel do të bëjë presion tek Vucic, që ky i fundit të bind deputetët e Listës Srpska që ta votojnë projektligjin për marrëveshjen për demarkacionin.Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli dhe zëvendëskryeministri, Behgjet Pacolli kanë deklaruar për media se edhe disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje do të votojnë pro demarkacionit, pa dhënë emra konkret.

Ndryshe, dy herë radhazi ka dështuar seanca e jashtëzakonshme për ratifikimin e demarkacionit, për shkak të mungesës së votave.Marrëveshja Kosova- Mali i Zi për çështjene kufirit ishte nënshkruar në vitin 2015, mirëpo që për shkak të kundërshtimit të fuqishëm opozitar, nuk ishte ratifikuar në Kuvend.

Opozita atë kohë konsideronte që Kosova nga kjo marrëveshje humb hiq më pak se 8 mijë hektarë tokë, derisa ishin organizuar protesta të mëdha dhe ishte hedhur gaz lotsjellës në kundërshtim të kësaj marrëveshjeje.

Udhë ratifikimit të kësaj marrëveshjeje i kishte hapur nënshkrimi i një deklarate politike nga dy presidentët, ai i Kosovës dhe i Mali të Zi, për mundësinë e korrigjimit të kësaj marrëveshjeje.