Sport

Juve me një këmbë në çerekfinale, fiton edhe Sevilla

Juventus ka kryer punën qysh në ndeshjen e parë ndaj Portos.

Kampioni i Italisë ka triumfuar me rezultat 2:0 si mysafir i Portos. Ndeshja e zhvilluar në Estadio do Dragao kaloi nën dominim e ‘Zonjës së vjetër’ e cila e siguroi fitoren në pjesën e dytë.

Gjërat u bënë më të lehta për Juven qysh në pjesën e parë, pasi që mbrojtësi i Portos, Alex Telles u ndëshkua me dy kartonë të verdhë brenda 120 sekondash dhe u përjashtua nga ndeshja qysh në minutën e 27-të.

Pas një pjese të parë pa gola, Juve realizoi dy herë në të dytën, me anë të dy lojtarëve të ardhur nga banka e rezervistëve. Fillimisht në minutën e 72-të Marko Pjaca i dha epërsinë bardhezinjëve, ndërsa dy minuta më vonë Dani Alves vuri rezultatin përfundimtar, që pothuajse ia siguron Juventusit kalimin në çerekfinale. Fiton edhe Sevilla që mposht kampionët e Anglisë, Leicester City me rezultat 2:1.

Golat për skuadrën e Jorge Sampaolit i realizuan Pablo Sarabia (25’) dhe Joaquin Correa (62’). Golin e vetëm për Leicester City e shënoi Jammie Vardy në të 73-tën. Ky rezultat lë të hapur mundësinë për të dyja skuadrat që të kërkojnë kualifikimin në çerekfinale në ndeshjen që zhvillohet pas dy javësh.