Aktuale

John Chesnut i dërgon letër kongresistit amerikan për telashet në Kosovë

Ka kaluar gjysmë viti qëkur amerikanit John Chesnut nuk i lejohet nga përfaqësuesit e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës të futet në hangarin, në të cilin ai ka vendosur aeroplanin e tij me leje të Policisë së Kosovës.
“Limak”-u ia kërkon 5600 euro në muaj qira John Chesnutit, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Amerikani, i cili ia ofroi aeroplanin e tij trajnues Kosovës dhe solli atë në pronën e Policisë së Kosovës, të cilët ia dhanë edhe çelësin e hangarit për ta vendosur atë afër Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP), tash e disa muaj është duke u penguar nga përfaqësuesit e kompanisë turke “Limak” ta shfrytëzojë aeroplanin.

Duke e parë se deri më tani nuk ka asnjë zhvillim sa i përket rastit të tij, Chesnut i ka shkruar kongresistit të tij në Ohio, Steve Chabot.

Zyra e kongresistit Chabot ka reaguar menjëherë duke e këshilluar atë për veprimet e mëtutjeshme, ndërsa vetë Johni tashmë ka angazhuar edhe një avokat për t’u marrë me rastin e tij.