Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Dalibor Jevtiq, ka deklaruar transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës në të armatosura është i pamundur pa serbët.
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Dalibor Jevtiq, ka deklaruar të martën në Gracë të Vjetër të Lipjanit se me partnerët e koalicionit, por edhe me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare po bisedojnë për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.
“Ne këtyre ditëve po bisedojmë për mundësinë e aktivizimit të sërishëm ose ngrirjes së funksioneve tona, po bisedojmë për temat e rëndësishme jetësore, Bashkësinë e komunave serbe dhe temat tjera, të cilat janë për neve prioritet”, ka thënë Jevtiq.
Ai ka bërë të ditur se dëshirë e përfaqësuesve të serbëve kosovarë është që të ndryshojë raporti me partnerët e koalicionit (PDK-LDK) dhe se shqiptarët të fillojnë të respektojnë qëndrimet e serbëve.
Jevtiq ka thënë se në krahasim me ngrirjen e funksioneve ose humbjen e mandateve ekzistojnë gjëra më të rëndësishme dhe në këtë drejtim përmendi rëndësinë e formimit të Bashkësisë së komunave serbe.
“Bashkësia e komunave serbe nuk duhet të jetë forma, ajo duhet të përmbajë thelbin, i cili është jeta, arsimimi, mbrojtja shëndetësore, ekonomia dhe kjo është ajo në të cilën insistojmë. Nuk e dëshirojmë formën, e duam thelbin”, theksoi Jevtiq.
Ai ka thënë se më mirë është që të ketë angazhim në procesin e kthimit të personave të zhvendosur në Kosovë sesa në formimin e ushtrisë së Kosovës. Sipas tij, transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të armatosura të Kosovës është i pamundur pa serbët.
“Qëndrimi i serbëve rreth çështjes së formimit të ushtrisë së Kosovës mbetet i pandryshuar”, ka thënë Jevtic.