Me rastin e ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shprehjes, gazetarja hulumtuese Jeta Xharra mbajti një ligjëratë për studentët e Kolegjit AAB – dega në Gjakovë, me temën “Mundësitë dhe sfidat për orientim në karrierë dhe liria e të shprehurit”.
Gazetarja Xharra në këtë ligjëratë, ndau me studentët e AAB-së vështirësitë nëpër të cilat ka kaluar në fillet e karrierës së saj si gazetare.
“Nuk kam pasur ndonjë ëndërr që të bëhem gazetare. Kam pasur ëndërr të shkruaj dhe të merrem me dramaturgji, edhe pata vendos me e regjistru dramaturgjinë”, rrëfeu ajo, duke treguar se për një vendim të tillë nuk e kishte pasur as edhe përkrahjen e prindërve për shkak se, siç thotë ajo, ky profesion për ata ishte jo profitabil për të ardhmen.
Gazetarja Xharra tregoi se edhe gjatë kohës sa ishte në shkollë të mesme ishte angazhuar në çdo OJQ të mundshme rinore që kishte pasur mundësi ku edhe kishte mësuar shumë, sidomos për sa i përket gazetarisë.
Një vit pasi ishte regjistruar në studime, ajo kishtë rënë në kontakt me një ekipë të gazetarëve të BBC-së, të cilët kishin ardhur në Kosovë si reporterë lufte, ku që nga ajo kohë, ajo i është futur punës në gazetari.
Xharra, duke folur edhe për themelimin e Rrjetit për Gazetari Hulumtuese “BIRN”, motivoi studentët që me punë dhe angazhim, pa pasur nevojë të jenë pjesë e ndonjë grupacioni politik, mund të arrijnë maja të suksesit, njëkohësisht edhe të japin një
kontribut të çmuar për vendin.
“Ka vende në Kosovë ku mundesh me apliku për praktikë dhe nuk ka nevojë me qenë pjesë e ndonjë partie. Nëse do me hy në ministri, atëhere baje. Në këtë moshë tuajen, me hy me punu në ministri, vetëm sa ka me të prish, nuk ka me të ndreq asnjë gjë”, u tha ajo studentëve, duke shtuar se punët për sektorin publik kanë mbetur për dembela.
Në këtë ligjëratë, Xharra foli edhe për fenomenin që gazetarët po i hyjnë politikës, për të cilët tha se, nuk i kanë hyrë politikës për të shtyrë proceset përpara, por thjeshtë, sipas saj, për t’u ‘rehatu’ në një vend pune.
“Ka qenë shumë demoralizuese. Kjo pse kanë dalur në politikë është sepse kanë qenë të interesuar me u rehatu. Me u rehatu nënkupton një punë të shtetit që në fund të ditës të paguajnë mos me punu. Nëse ajo është karriera që e synon prej fillimi, ja nis me politikë, por jo me ja nis me gazetari pastaj me kalu në politikë sepse po e mashtron lexuesin. Edhe pse në Angli ka p.sh gazetarë që janë bërë anëtarë parlamenti, por ata njihen si njerëz që, gjërat që i kanë shtyrë në gazetari, i kanë shtyrë edhe në parlament dhe kanë pasur respekt”, është shprehur ajo.
Xharra, në këtë ligjëratë foli edhe për paragjykimet që bëhen në vendin tonë për studentët që studiojnë nëpër kolegje private.
“Për mua, në çfarë do rasti, praktika duhet të kryhet. Më së pari personi duhet me u vlerësu, shihet dallimi i personit që mëson dhe që nuk mëson. Është një paragjykim se nëse s’ke mujt me u regjistru në publik, për këtë arsye ke shku në privat. Nuk është ashtu. Shumica e njerëzve që janë te unë në punë, janë edhe prej UP-së, po janë edhe shumë prej Kolegjit AAB”, theksoi ajo.
Në këtë ligjëratë, ku morën pjesë një numër i konsiderueshëm i studentëve të AAB-së të cilët vijnë nga Komuna e Gjakovës, pati edhe shumë pyetje dhe bashkëbisedim me gazetaren Jeta Xhara. /Gazeta KNN